Ndryshimi i pragut të TVSH nxit informalitetin, në buxhet do të mungojnë rreth 30 milion euro

schedule15:46 - 23 Korrik, 2020

schedule 15:46 - 23 Korrik, 2020

Rritja e pragut  të përfshirjes së bizneseve në TVSH  nga ata me xhiro vjetore 2 milion lekë në 10 milion lekë nuk është mirëpritur nga ekspertët .

Arben Malaj thekson se ndryshimi i pragut do të ketë efekte negative në buxhet si dhe do të nxisë informalitetin pasi  bizneset do të fragmentarizohen.

Sipas ish-ministrit të Financave ndryshimi i pragut të TVSH-së nuk do të ndikojë në rritje konsumi dhe realisht nuk do të ketë impakt në ekonomi.

 “Ne shpeshherë kemi bërë debate që këto ulje nuk shkojnë tek konsumatori përfundimtar. Pra nuk pati ulej të tarifave të arsimit kur u hoq TVSH-ja për arsimin apo TVSH për librat dhe ilaçet. Të mos lodhemi për të prodhuar politika fiskale që kanë rezultuar të dështuara në vende të tjera. Të zbatojmë rregulla dhe parime thelbësore të menaxhimit të financave publike. Pra të kemi një sistem të mbrojtjes fiskale efikas”, tha më tej Malaj.

Bujar Bendo Ekspert Kontabël shprehet se ndryshimet fiskale në Shqipëri janë të pakonsultuara duke krijuar kaos në zbatimin e tyre.

Sipas Bendos efekti në buxhet nga rritja e pragut do të jetë rreth 30 milion euro më pak.

“Llogaritet që komplet impakti do të jetë 27-30 milion euro, as 3% e TVSH së mbledhur. Pavarësisht kësaj për biznesin e vogël duke marrë parasysh që sasia e bizneseve të vogla që janë në këtë fashë deri në 10 milion lekë që bëhet fjalë për mbi 40 mijë subjekte, impakti është i ndjeshëm. Duke u nisur tek kjo kam përshtypjen se gjëja bëhet për efekt të fushatave politike”, u shpreh ai.

Vendimi për rritjen e pragut të përfshirjes së bizneseve në TVSH do të nis zbatimin që nga 1 janari 2021 dhe do të aplikohet deri në vitin 2029. Aktualisht pragu i TVSH është 2 milion lekë dhe u ul dy vite më parë nga 5 milion që ishte. Ky ndryshim nuk u mirëprit nga institucionet ndërkombëtare financiare ndërsa krijoi një ngarkesë për administratën tatimore./abcnews.al/