Ndryshimet në qeveri, Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme

schedule07:57 - 28 Korrik, 2022

schedule 07:57 - 28 Korrik, 2022

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për të votuar ndryshimet në qeveri. Socialistët pritet të miratojnë shkarkimin e Arben Ahmetajt si zëvendës kryeministër dhe emërimin e Belinda Ballukut në vend të tij.

Po ashtu, në seancë do të miratohet edhe emërimi i ministres së Shtetit, Majlinda Dhuka, e cila do të jetë kryenegociatore e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Seanca do të mbahet në orën 17:00.

Kryeministri Edi Rama bëri ndryshimet në qeveri, sapo presidenti i ri i vendit Bajram Begaj mori detyrën. Ishin këto firmat e para të Begajt si kryetar shteti.

Nga ana tjetër, partia Demokratike kërkoi që ndryshimet në qeveri të mos kalojnë pa debat në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Enkelejkd Alibeaj depozitoi kërkesën në Kuvend për të zhvilluar debat, por socialistët e rrëzuan.

Kjo ka sjellë reagime të ashpra nga deputetët demokratë. “Qeveria rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë për debat dhe kërkon të ndryshojë ministrat në heshtje të plotë.

Arsyeja është e thjeshtë, Rama s’mund të lejojë të dalë zbuluar para të vërtetave, që largimi i disa ministrave lidhet me faktin se gjenden para arrestimit. Vjedhja e inceneratorëve dhe koncesionet nuk do kalojnë paq siç shpreson Rama!”, shkruan Gështenja.

Po ashtu edhe deputeti Ervin Salianji dënoi vendimin e maxhorancës për të ndaluar debatin lidur e ndryshimet e marra. “Opozitës tentohet ti hiqet e drejta e fjalës që qeverisë ti rritet e drejta e plaçkitjes! Nëse kapen institucionet, sheshet flasin! T’i japim fund makinerisë së plaçkitjes!” shkroi Salianji. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!