TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, mbajti një takim me drejtuesit qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit. Ai tha se përparimi në dekadën e fundit në Policinë e Shtetit është i jashtëzakonshëm.
“Në harkun e 22 viteve, qëkur unë vetë vesha për herë të parë me emocion të paharrueshëm uniformën e rëndë të mbrojtësit të rendit e të sigurisë publike, e kam parë këtë trupë në ditë shumë të këqija dhe në ditë shumë më të mira se ato të fillimeve të mia. Besoj se jam një dëshmitar mjaftueshëm objektiv për të thënë sot se, përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshëm, po të merret parasysh pika kritike ku ishte katandisur Policia e Shtetit dhe ndjenja dëshpëruese e braktisjes që përjetohej në radhët tona deri përpara 10 viteve. Të papaguar, të paushqyer, të paveshur, të pambështetur me mjete dhe fuqi motorike dhe më e keqja fare, të tradhtuar në orët më kritike të operacioneve me rrezik jete, punonjësit e kësaj trupe bënin sa mundnin, po nuk bënin dot kurrsesi sa mundeshin. Ishte koha kur rënia në krye të detyrës e drejtuesve dhe punonjësve të Policisë bënte pjesë në të përditshmen tonë dhe kur mesatarja e vrasjeve në Shqipëri, gjatë një viti, ishte mbi 100 persona, ose një i vrarë në tre ditë.Nuk jam këtu për të bërë historinë e viteve të shkuara dhe as për të ulur peshën e asnjë ngjarjeje të rëndë që ndodh në ditët tona, kur shifrat e vrasjeve dhe të kriminalitetit në tërësi janë si dita me natën. Referimi tek pikënisja e transformimit historik të Policisë së Shtetit në dekadën e fundit, nuk na duhet për të kërkuar lëvdata, por është i nevojshëm për të kuptuar se asnjë objektiv, sado ambicioz, nuk është i pamundur për ne.”, tha ai.
Më tej, ai shtoi se;
“As nuk e dyshoj se plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore. Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë. Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ata do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë. Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit. Ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit, merita kryesore për përmbajtjen shumë të mirë që i takon paraardhësit tim të nderuar Taulant Balla dhe drejtuesve aktual të Policisë së Shtetit, është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës sonë policore”, tha ai.
Pas dorëheqjes së kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, ministri Hoxha u shpreh se edhe drejtuesit e policisë në 12 qarqet e vendit do të largohen nga detyra, për t’i hapur rrugë riformatimit dhe ripërtëritjes së plotë të Policisë së Shtetit.
Ai caktoi edhe drejtorin e komanduar të Policisë, i cili do jetë Sokol Bizhga, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri. Sakaq, emri dhe përzgjedhja e re do t’i nënshtrohet kritereve dhe rregullave të Ligjit të ri të Policisë së Shtetit.
Disa prej kushteve që duhet të plotësojë kandidati për t’u zgjedhur në krye të Policisë së Shtetit
1- Mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
2- Të ketë shtetësi shqiptare;
3- Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
4- Të mos ketë marrë masat disiplinore brenda 5 vjetëve të fundit;
5- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
6- Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit./abcnews.al