Akti i parë që kreu në detyrën e Ministrit të Brendshëm dy vjet më parë ishte nisja e procesit për organizimin e vettingut për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Pritshmëritë për të larguar efektivët e lidhur me krimin ishin që në janar të vitit të shkuar, por nuk ndodhi. Dy vjet më pas pasardhësi i Fatmir Xhafajt vjen me një propozim të ri përpara deputetëve.
Lleshaj: “Problemi themelor që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën, e cila është në dispozicion për të mbyllur procesi e Vettingut. Sipas ligjit aktual, procesi i Vettingut për 13 mijë punonjës të Ministrisë së Brendshme duhet të mbyllet në marsin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar dhe praktikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ky proces të mbyllet ashtu sikundër ligji e parashikon, pra në marsin e vitit të ardhshëm”.
Kjo është pika e parë që nuk e bind ish-ministrin Fatmir Xhafaj se ligji për vettingun në polici duhet ndryshuar.
Xhafaj: “Keqardhje që me alibi false nuk u bë i zbatueshëm në kohë, por për dy vite futëm në procesin e zbatimit në drejtësi. Gjithsesi më mirë se vonë se kurrë, nuk është herezi ndryshimi i një ligji, por në vlerësimin tim ndryshimet nuk janë të duhura në disa arsye, mund të cënohet pavarësia e procesit”.
Procesi i ri i kryerjes së vettingut në polici që propozon Ministri Lleshaj i jep mundësinë Shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat që të kalojnë të shndrrohet në një strukturë të rëndësishme për realizimin e vettingut.Për këto ndryshime ish ministri shprehet kundër.
Lleshaj: “Ndryshimi i dytë që propozohet qëndron në faktin SHÇBA-ja do të shndërrohet në një strukturë, e cila do të kryejë më tej Vettingun për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, pra fazën e dytë dhe të tretë, për punonjësit e nivelit të mesëm dhe atyre të nivelit bazë. Pra, ndryshe nga sa e parashikon ligji aktual ku ky vlerësim në fazën e dytë dhe të tretë do të kryhej nga struktura ad-hoc, me propozimet e bëra ky vlerësim duhet të bëhet nga vetë SHÇBA-ja”.
Xhafaj: “Kemi të bëjmë me skanim të vecantë, dhe nuk mund të bëhet nga SHCBA, në varësi të ministrit. Një nga sukseset e vettingut në drejtësi është se është i besueshëm nga të gjithë. Së dyti cënohet cilësia dhe shpejtësia e procesit. SHCBA-ja nuk ka kapacitetet për ta kryer këtë proces. Ti besojmë vettingun 13 mijë punonjësve një institucioni që ka 100 punonjës vlerësoj se do ta ngadalësojë procesin”.
Ministri Sandër Lleshaj nuk ka gjetur mirëkuptimin e ish ministrit Fatmir Xhafaj as për argumentin që i dha mbi faturën financiare.
Lleshaj: “Një arsye tjetër që ka të bëjë me kërkesën për të ndryshuar ligjin lidhet me volumin e madh administrative që kërkohet për të realizuar atë, kërkohet që rreth 240 punonjës me kohë të plotë, nga strukturat e Policisë dhe të SHÇBA, të shkëputen nga funksioni i tyre bazë dhe ti dedikohen Vettingut me kohë të plotë, pra kjo është një volum shumë i madh administrativ dhe këtij volumi administrativ i bashkëshoqërohet dhe një faturë jo e parëndësishme financiare, e cila shkon rreth 3 milionë dollarë, kosto e parashikuar e këtij procesi”.
Xhafaj: “Argumenti financiar nuk është i justifikuar, ajo shumë që mendohet se do të kursehet 2 mln euro, është e papërfillshme nga ajo që pritet. Por një gjë është pozitive,nuk preket thelbi i vlerësimit dhe kriteret”.
Pavarësisht mos ndryshimit të thelbit, ish-ministri Fatmir Xhafaj zgjodhi të abstenojë ndërkohë që ndryshimet për ligjin e vettingut në total morën 76 vota pro 6 kundër e 6 abstenim. /abcnews.al