Nga Juxhin Mustafaraj
Në prag të nisjes së sesioni të ri parlamentar, në kushtet kur kriza e brendshme brenda Partisë Demokratike vazhdon, Berisha dhe deputetët e tij kanë nisur kontaktet për të ndryshuar balancat në Grupin Parlamentar.
Me përplasjet e vazhdueshme që shoqëruan kampin blu në sesionin që u mbyll, Berisha kërkon që të rikthejë në normalitet jetën parlamentare të demokratëve duke marrë shumicën e grupit dhe duke larguar nga drejtimi i tij, Enkelejd Alibeajn.
I pyetur për këtë zhvillim brenda grupit parlamentar, Berisha u tregua i rezervuar për të dhënë detaje për afrimet e reja.
Aktualisht në mbështetje të Berishës në grupin e PD janë 17 deputetë, por 2 prej tyre Elda Hoti dhe Kasem Mahmutaj, në marrëveshje me aleatët, janë pjesë e grupeve që drejtohen nga Mediu dhe Doda.
Ndaj edhe kontaktet kanë vijuar me deputetë që janë jashtë këtyre grupeve. Zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, mund të lëkundin disa deputetë, kryesisht ligjvënës demokratë që vijnë nga eksperienca të mëparshme në pushtetin vendor.
Kështu Zef Hila, Xhelal Mziu, Ramadan Lika dhe Bledion Nallbati hoqën dorë nga pushteti vendor në 2019, por nuk i kanë fshehur ambiciet për rikthime në zonat e tyre të influencës. Por, a është gati Berisha t’i ofrojë dhe mbështes këta deputetë?
Krahas ish-drejtuesve të pushtetit vendor edhe deputetë të tjerë janë shprehur hapur kundër linjës së Enkelejd Alibeajt në Parlament.
Grida Duma, Ervin Salianji, Tomorr Alizoti kanë dhënë sinjale se janë më afër linjës së PD të drejtuar nga Sali Berisha. Kreu i PD ka deklaruar se pas zgjedhjes së lidershipit të ri është marrë edhe vendimi se kush do të drejtojë grupin e PD.
“Janë nda detyrat. Kjo detyrë i është ngarkuar Luçjano Boçit, kurse nënkryetarit tjetër i është ngarkuar drejtimi i departamenteve dhe reformave.”
Negociatat me deputetët e PD janë ende në proces, teksa në seancën e parë të Parlamentit që është parashikuar të mbahet javën e parë të shtatorit një dokument me firmën e deputetëve për ndryshimin e drejtimit të grupit mund të ndryshojë balancat brenda demokratëve. /abcnews.al/