“Sa herë të jetë nevoja do të bëhen ndryshime”, kështu u shpreh gjatë një interviste për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Ai shtoi se çdo ndryshim në struktura do bëhet me qëllim për të pasur sa më shumë rezultate.
“Ndryshimet nuk bëhen me faza, bëhen për të rritur performancën, për të kërkuar edhe më shumë rezultate nga drejtuesit e rinj që vijnë apo marrin përsipër apo komandohen në detyrë. Sa herë do të ketë nevojë Policia e Shtetit do të ketë ndryshime, me qëllimin e vetëm për të arritur ato rezultate dhe objektiva që ne presim”.
Nano priti sot në ambientet e Policisë së Shtetit ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e disa qarqeve me fokus luftën kundër kanabisit.
Nga ana e tij ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se policia do të ketë tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit.
‘Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit dhe besoj se policia i ka të gjitha mundësitë, mënyrat për ta minimizuar në maksimume historike këtë fenomen negativ. Ishte një takim pune i zakonshëm. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm, nuk ka të bëjë fare me kultivimin e kanabisit për arsye industriale.’- tha Çuçi /abcnews.al/