Ndriçohet qendra e qytetit të Lezhës, ndryshohet i gjithë sistemi

schedule14:36 - 6 Mars, 2019

schedule 14:36 - 6 Mars, 2019

Bashkia e Lezhës gjeti zgjidhje për të ndriçuar qendrën e qytetit e cila natën ishte në errësirë të plotë. Në mungesë të llampave koreane në treg, u vendos ndërhyrja për ndryshimin e gjithë sistemit. Tani vendorët kërkojnë një zgjidhje për të ndriçuar rrugën e Shëngjinit.

Tri javë më parë Lezha kishte këto pamje, përcjellë përmes kamerës së ABC News. Natën qendra e qytetit ishte e gjitha në errësirë.

Preteksi ishin llambat e djegura të ndriçuesve të cilat ishin koreane dhe mungonin në treg. Kështu ishte investuar dhe zgjidhja më e shpejtë dhe e vetme mbetej ndryshimi i sistemit.

Nuk dihet ende sa është humbja prej atij projekti të prezantuar me shumë bujë, por qendra është ndriçuar.

Ndërhyrja erdhi për shkak të përgatitjeve për kremtimet e 2 marsit dhe Samitit të Diasporës që u mbajt në këtë qytet.

Enver Hafizi, Nënkryetar i Bashkisë Lezhë: “Sistemi i ndriçimit ka përmirësim të dukshëm kështu do vazhdojmë me sistemin e lagjeve dhe rrugëve në Lezhë”.

Për nënkryetarin e Bashkisë problem mbetet ndriçimi i rrugës së Shëngjinit. Ai thotë se prej dy vitesh i janë adresuar Autoritetit Rrugor, por nuk kanë marrë zgjidhje.

 Enver Hafizi, Nënkryetar i Bashkisë Lezhë: “Rruga e Shëngjinit është problematike, por është në varësi të Autoritetit Rrugor. Kemi kërkuar ndërhyrjen e tyre dhe nuk po bëhet i mundur, jemi në tratativa që para sezonit të mbarojë”.

Pas ndriçimit të rrugëve dhe qendrës së qytetit të Lezhës, vendorët duket se po tregohen të angazhuar për të përmirësuar kushtet e qytetit të Shëngjinit.

Sezoni turistik është shumë afër dhe ky bregdet duhet të jetë gati për të pritur mijëra pushues. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!