Ndreu në grupin e PS: Sjellje skandaloze e operacionit në Lezhë

schedule11:59 - 22 Tetor, 2018

schedule 11:59 - 22 Tetor, 2018

Skandaloze e ka cilësuar deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu mënyrën se si ka vepruar prokuroria dhe policia për arrestimin e dy ish deputetëve socialistë. Ndërsa për deputetët e tjerë socialistë, krimi nuk ka ngjyrë.

I ashpër është treguar deputeti socialist Pjerin Ndreu për mënyrën sesi janë arrestuar dy ish-kolegët e tij socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

“Nuk marr përsipër të gjykoj provat. Kam rezerva për mënyrën skandaloze të veprimit, sjelljen skandaloze dhe se si kanë vepruar me mënyrën e arrestimit. Dhe praktikimin e dy standardeve, një grup që quhet i parëndësishëm dhe merret prokuroria lokale dhe një grup tjetër që merret prokuroria e krimeve të rënda”.

I njohur për miqësinë me ish kolegun Arben Ndoka, deputeti Pjerin Ndreu ka sugjeruar të shihen me qetësi gjithcka ka ndodhur dhe për mënyrën se si është vepruar.

“Ne si forcë politike nuk mbështesim asnjë veprim të paligjshëm, por mënyra e të proceduarit të Prokurorisë dhe policisë në dy raste të ndryshme në Lezhë është e habitshme. Të presim verdiktin e drejtësisë e të flasim për të tjerat”.

Deputetët e tjerë të grupit parlamentar socialist nuk kanë qenë të një mendje me deputetin Ndreu. Në këndvështrimin e tyre drejtësia është ajo që vendos.

Felaj: “Çfarë do thotë opozita për keqpërdorimin poltiik të Prokurorisë. Njerëzit që abuzjnë me pushtetin nuk kanë ngjyrë”.

Por ka edhe nga ata që flasin me heshtjen e tyre. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!