Në plazhin e Tales në Lezhë delegacioni i BE ka kryer një aksion pastrimi i cili bëhet paralelisht në 80 vende të botës. Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca tha se këto nisma ndërmerren për të mbrojtur mjedisin. Edhe bashkia e Vlorës nxorri në terren punonjësit e saj për të larguar mbetjet nga zona e plazhit të Vjetër.
Pas ikjes së turistëve nga plazhet, vija bregdetare është më e ndotur. Një problem i evidentuar edhe gjatë sezonit veror.
Për këtë arsye paralelisht me 80 vende të botës edhe në Shqipëri delegacioni i Bashkimit Europian po kryen një aksion pastrimi në bregdetin e Tales në Lezhë.
Në nismën vullnetare morën pjesë 200 nxënës shkollash dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Mbetje të shumta kishin mbuluar edhe brezin e rërës në plazhin e vjetër të Vlorës. Bashkia nxorri në terren rreth 400 punonjës për të larguar plehrat.
Kryebashkiaku Dritan Leli tha se pavarësisht që sezoni turistik ishte e suksesshëm në fund patëm edhe më shumë plehra.
Leli u bëri thirrje edhe institucioneve të tjera të qytetit, apo edhe shkollave që t’u bashkohen të tilla nismave në fundjavë për të pastruar ambjentet publike dhe vijën bregdetare të Vlorës. /ABC news Albania 24/7