Ndotja e mjedisit, rriten gjobat/ Qeveria propozon ndryshimet ligjore, deri 2.6 milionë lekë gjobë për bizneset

schedule15:28 - 1 Mars, 2024

schedule 15:28 - 1 Mars, 2024

Bizneset që shkaktojnë ndotje të mjedisit dhe ajrit do të përballen me gjoba më të larta. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka propozuar ashpërsimin e masave administrative. Për subjektet që ndotin mjedisin gjoba mund të arrije deri në 26 milionë leke të vjetra. Ndëshkimet ashpërsohen për të gjitha subjektet që janë të pajisur me leje mjedisore.

“Kjo është një rritje proporcionale, duke qenë se ndikon në ekonominë e këtyre bizneseve do të rrisë ndërgjegjësimin e tyre duke qenë më të përgjegjshëm sa i takon shkarkimeve apo ndikimeve negative që mund të kenë.”

Zëvendës ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla thotë se ndryshimet e propozuar ne ligjin për mjedisin pritet të shkojnë në Kuvend, ku do të nisë diskutimi i tyre. Nisma ligjore është ndërmarrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve.

“Duke qenë se është rritur numri i subjekteve industriale dhe kjo ka shkaktuar jo vetëm ndotjen e mjedisit, por edhe uljen të treguesve të cilësisë së ajrit.  Me rritjen e numrit të turistëve ne na duhet që të jemi të kujdesshëm edhe në këta tregues. Por patjetër objektivi, objektivi primar është shëndeti i qytetarëve dhe mirëqenia e tyre.”

Bizneset që preken janë ato që prodhojnë, importojnë ose tregtojnë, lëndë djegëse në kundërshtim me kërkesat e ligjit, si edhe mjetet e transportit. Disa zona janë më problematike dhe marrja e masave është urgjente.

“Kryesisht janë zona që kanë pak profil industrial dhe kanë profile urbane të pastudiuara. Në këtë aspekt jo vetëm metropoli, Tirana apo qytete të mëdha, por kemi vënë re edhe në disa qendra të tjera ku industria është më e zhvilluar.”

Me vjeljen e gjobave më të larta nga bizneset ndotëse, qeveria synon të rrisë buxhetin që do të përdoret për investime për rikuperimin e dëmeve të shkaktuara dhe për ruajtjen e mjedisit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!