“Ndoqa gjurmët e babait tim, Hasan Ceka”, Neritan Ceka: 9-vjeç më mori me vete në Apolloni dhe u befasova nga zbulimet

schedule11:09 - 10 Nëntor, 2023

schedule 11:09 - 10 Nëntor, 2023

Arkeologu i njohur, Neritan Ceka ka treguar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, rrugën se si ndoqi profesionin e arkeologjisë. Ai zbuloi se frymëzimi ka qene babai Hasan Ceka dhe ndoqi hapat e tij.

Ceka ka kujtuar momentin e parë kur vetëm 9-vjeç në Apolloni i ati e mori me vete dhe aty u befasua nga zbulimet. Më tej, rrëfeu dhe qëllimit për të dalë me rezultate të mira në shkollë dhe mësimin e dy gjuhëve të huaja, në mënyrë që të bëhej një arkeolog i madh.

“Ne ishim katër fëmijë dhe të katërt kemi ndjekur babain në gërmimet e tij, sepse në atë kohë, ai punonte në Apolloni dhe ishte shtëpia e dikurshme e Leon Rey, një vilë në kodrën më të lartë të Apollonisë, dominon të gjithë Myzeqenë dhe babai krijoi zakonin që ai kishte privilegjin ndryshe nga arkeologët e tjerë, që merrte familjen, se ishte në një moshë më të thyer se arkeologët e tjerë. Vinte mamaja ime, në fillim tre, më pas u bëm katër. Bëhet fjalë për vitin 1948 dhe një mëngjes në korrik kur kishte mbaruar shkolla, zbrita dhe pash ato rrënimet që kishte zbuluar Leon Rey, mu dukën të çuditshme, gurët të punuar me mbishkrime të lashta. Edhe mblodha një grusht me qeramika rrugës dhe u ktheva, ia tregova babait. Kështu që ai ishte mësimi i parë që mora se çfarë ishin ato gjëra të veçanta që nuk i gjenim në qytet. Pastaj, e dyta ishte, që kur vendosa të bëhem arkeolog më ndodhën dy gjëra, sepse mund të ketë qene klasa e shtatë në shkollën “Hoxha Tasim” në Tiranë. Isha nxënës i shkëlqyet në letërsi, bëja hartime, por nuk kisha ndonjë prirje për lëndët e tjera. Në atë kohë ishin pesë nota, nga 1 te pesa, unë qendroja te katra, ku qendronte një pjesë e atyre indiferentëve. Edhe babai më tha, në qoftë se vazhdon kështu nuk ke asnjë shanc për t’u bërë arkeologë dhe brenda pak javëve u bëra nxënësi më i mirë i shkollës. Unë e vura që arkeologjia ishte ajo që më tërhiqte, ishte ylli. Edhe e dyta, më tha që duhet të mësosh një gjuhë të huaj. Gjuha e huaj në shtëpinë tonë ishin librat në gjermanisht të babait, që unë i kisha shfletuar, kishte libra për albanologjinë, ku nga këta albanologët që kishin mbledhur përralla dhe brenda tekstit në gjermanisht, gjendej një poezi, një përrallë dhe kështu me radhë. Kështu që fillova të mësoja gjermanishten me një metodë që kishte babai, që ishte për francezët. Unë nuk dija as gjermanisht, as frengjisht dhe i mësova pothuajse të dyja paralelisht. Këto ishin dy gjërat që më hapën rrugën për t’u zgjeruar më tej”, u shpreh Ceka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!