Ndoj: Kanë ardhur lojtarë të fortë, tifozë ejani me Andorrën!

schedule13:04 - 11 Nëntor, 2019

schedule 13:04 - 11 Nëntor, 2019

Emanuele Ndoj është rikuperuar dhe është rikthyer për Brescian dhe kombëtaren. Trajneri Edoardo Reja e ka përfshirë mirditorin në listën për dy ndeshjet me Andorrën dhe Francën. Mesfushori, në konferencën e sotme për shtyp, foli fillimisht për gjendjen e tij.

“Pas dëmtimit kam qenë 3 muaj jashtë. Tani kam filluar të stërvitem me ekipin dhe të luaj. Jam më mirë, ndihem më mirë fizikisht. Kam luajtur 2 ndeshje në Serinë A, 20 minuta në njërën e 45 në tjetrën. Mund të kem 70 minuta në këmbë me ekipin. Ta shohim në stërvitje, nëse jam mirë trajneri mund të fusë në lojë”, tregon Ndoji.

Më tej ai e pranon se i ka munguar kombëtarja, ndërkohë që ka folur edhe në lidhje me konkurrencën në skuadër. Së fundmi janë afruar lojtarë si Bare dhe Gjasula, çka bën që zgjedhjet për stafin teknik të jenë të shumta.

“Më ka munguar shumë, është një gëzim i madh të jem në Kombëtare. Do jap 100 % çdo herë që do të futem në fushë.  Konkurrenca? Lojtarët që kanë ardhur janë shumë të fortë. Konkurrenca është e mirë, pasi duhet të japësh 100% në stërvitje për t’i treguar trajnerit se je gati”, shtoi mesfushori.

Në fund ai flet për ndeshjet dhe ka një thirrje për tifozët: “Jemi lojtarë kombëtareje dhe mendojmë për ndeshjen e radhës. Do të përqendrohemi 100 % tek Andorra dhe më pas do të mendojmë për Francën. Prania e tifozëve? Është një ndihmë shumë e madhe të jenë njerëzit afër, pasi të japin një karikim të fortë. Dua t’u bëj thirrje tifozëve, që të jenë në Elbasan me Andorrë. Më shumë kemi nevojë në atë ndeshje. Më pas mendojmë për Francën”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!