Me rastin e daljes në treg të librit të tij të ri ” Be Useful: Seven Tools for Life “, ish-guvernatori i Kalifornisë dhe aktori i famshëm, Arnold Schwarzenegger, ishte në Londër dhe pranoi para kamerës së BBC se do të ishte një president i shkëlqyer nëse do të mund të kandidojë për postin më të lartë të Shteteve të Bashkuara.
“Ndjehem sikur do të bëhem një president i madh”, tha ylli i famshëm, i cili vjen nga Tal i Austrisë, ku jetoi deri në moshën 19-vjeçare.
“Ajo që kam arritur është falë Amerikës. Më dha kaq shumë mundësi dhe populli amerikan ishte aq mikpritës, sa më pritën krahëhapur. Nuk kishte njeri që të më ndalonte nga suksesi im. E vetmja gjë që nuk mund të bëj është të kandidoj për president, por nuk do të ankohem për këtë”, tha Schwarzenegger, duke shtuar: “Do të ishte pak egoiste të dilja dhe të përpiqesha të ndryshoja ligjin”.
Megjithatë, duke folur për ndeshjen mes dy kandidatëve Joe Biden dhe Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2024, ai ishte veçanërisht i ashpër duke theksuar se ata janë shumë të vjetër për të pretenduar sërish pozicionin e lakmuar në Shtëpinë e Bardhë.
“Shpresoj që Amerika të gjejë kandidatë më të rinj, në të 40-at apo edhe të 50-at, dhe t’u japë atyre një shans”, përfundoi ylli./abcnews.al