Ndizen tensionet në veri, Vuçiç kërcënon me futjen e ushtrisë në Kosovë, policia qëllohet me armë nga grupet kriminale serbe

schedule22:16 - 10 Dhjetor, 2022

schedule 22:16 - 10 Dhjetor, 2022

Tensionet janë ringjallur përsëri në veri të Kosovës ditën e sotme. Sirenat janë rikthyer në Mitrovicë të Veriut, teksa serbët janë grumbulluar në Zveçan.

Situata e tensionuar erdhi pas arrestimit të një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.

Ka qenë vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ai që nëpërmjet një deklarate për shtyp e ka konsideruar si një veprim të pamatur dhe ka kërcënuar me vendosjen e ushtrisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ndërkohë, sot është marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 4 komunat e veriut të Kosovës.

Pas mbledhjes urgjente të organizuar nga presidentja, Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike, u vendos mbajtja e zgjedhjeve në 23 prill, pavarësisht se ishin përcaktuar për t’u mbajtur në 18 dhjetor të këtij viti.

22:54 – Pse u arrestua ish-polici serb Dejan Pantiç?

Vendosja e barrikadave nga serbët lokalë ka nisur gjatë kësaj të shtune. Ato janë vendosur Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.

Këto pika janë bllokuar me automjete të rënda, formë kjo e cila njihet si rezistencë e qytetarëve në veri të vendit.

E gjithë kjo ka ndodhur si shenjë revolte, pas arrestimit të ish-zyrtari policor Dejan Pantiç nga Policia e Kosovës, gjatë së shtunës në pikën kufitare në Jarinjë.

Arrestimi i tij u bë nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese, që kishin ndodhur disa ditë më herët në zyrat e KQZ-së.

I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulm terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Për këtë, Pantiç akuzohet për sulm kundër rendit kushtetues.

Këto detaje lidhur me te i dha edhe ministri i brendshem i Kosoves, Xhelal Sveçla. Nder te tjera, ai ftoj qytetaret serbe te Veriut qe te mos behen pjese e organizimeve te grupeve kriminale.

Lidhur me arrestimin e ish-policit Panti, ka reaguar edhe drejtori i te ashtuquajtures Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, duke e cilësuar hakmarrje arrestimin.

Diteve te fundit përveç shpethimeve, ne Veri eshte sulmuar edhe Policia e Kosoves dhe eshte lënduar nje zyrtar policor, i cili si pasoj eshte dashur te operohet.

22:16 – Pasi sulmuan policinë dhe gazetarët, grupet kriminale serbe vendosin tenda pranë barrikadave

Serbët lokalë në veri të Republikës së Kosovës të nxitur dhe kontrolluar nga Beogradi kanë vendosur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në Rudarë në Zveçan ndërkohë janë ngritur edhe disa tenda në të cilat po qëndrojnë serbët të cilët kanë bllokuar rrugët.

Situata vazhdon të jetë tejet e tensionuar. Policia e Kosovës ka bërë me dije se disa policë të Kosovës janë sulmuar me armë zjarri në afërsi të Ujmanit dhe se janë kundërpërgjigjur në vetëmbrojtje.

Këto lëvizje të serbëve kanë ardhur pas arrestimit të ish-policit të Kosovës në Jarinje, Dejan Pantiç.

21:30 –VIDEO/ Grupet kriminale serbe hedhin mjet shpërthyes drejt gazetares nga Kosova gjatë raportimit të drejtpërdrejtë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin për rrezikun e vazhdueshëm që po u kanoset gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve gjatë raportimeve të tyre nga veriu i Kosovës.

Gjatë orëve të vona të ditës së sotme, në ndërkohë që po raportonin për situatën në veri, një eksploziv shpërtheu fare pranë ekipit të RTV Dukagjinit. Përgjatë raportimit të drejtpërdrejtë të gazetares, Doruntina Bylykbashi, shihet dhe dëgjohet shpërthim i madh.

Ky është sulmi i dytë brenda dy ditësh ndaj ekipeve të cilat po raportojnë nga veriu i Mitrovicës.

Andaj, AGK-ja u bënë sërish thirrje institucioneve kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët gjatë raportimeve të tyre.

21:21  –Vuçiç paralajmëroi dërgimin e ushtrisë në Kosovë, Kurti: Agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas kërcënimeve nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç se do të dërgojë ushtrinë serbe në veri. Kurti shprehet se “çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.”

“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së.

Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).

Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.

Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.“, ka shkruar Kurti.

21:17 – “Putini i vogël kërkon nisjen e një konflikti të ri në rajon”, Berisha paralajmëron Vuçiçin: Po luan me zjarrin!

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës.

Sali Berisha përmes një postimi në Facebook, shprehet se presidenti serb po luan me zjarrin.

Sipas tij, “Putini i vogël” po i bie brirëve për një konflikt të ri në rajon.

Më herët, presidenti serb ka paralajmëruar se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Postimi i plote:

Serbomadhi Aleksander Vuçiç po luan me zjarrin!
Deklarimi i tij për futjen e 1 mijë ushtarëve serb ne Kosovë është thirrje luftënxitëse. Të dashur miq, Presidenti i Serbomadhisë, Putini i vogël, po i bie këto kohë brirëve të konfliktit të ri në rajon. Paramilitar, forca speciale e tij dhe banda kriminale me mercenarët e Wagner po bëjnë gjithçka të destabilizojnë veriun e Republikës së Kosovës. Çdo natë vendosin eksplozive, shkrepin breshëri kundër forcave të Policisë së Kosovës që sigurojnë rendin, jetën dhe veprimtarinë normale të banorvë të zonave të Veriut të Kosovës.
Këta kriminelë kanë plagosur me armë zjarri anëtarë në detyrë të forvave policore të Kosovës, bllokojnë rrugë dhe djegin makina. E gjithë kjo veprimtari subversive, kriminale e Beogradit ndaj Kosovës udhëhiqet direkt nga serbomadhi Aleksander Vuçiç apo Putini i vogël i cili ka shndërruar Serbinë, sot me shumë se kurrë, në Rusi të vogël në prapavijë shumë të rrezikshme të Rusisë në mbështetje të agresionit të saj barbar ndaj Ukrainës dhe ambicieve të Putinit në Ballkan.
Këto ditë Aleksander Vuçiç, vendi i të cilit është në Gjykatën e Hagës si Geobels i Millosheviçit dhe frymëzues dirket i genocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, deklarohet për futjen e 1000 ushtarëve serb në Kosovë. De facto ai deklarohet për fillimin e një konflikti të ri në Kosovë. Në këto deklerata luftënxitëse ai mbeshtet jo vetem nga padroni i tij në Kremlin, por edhe nga vasali i tij në Tiranë, Edi Rama i cili është një armik i vërtetë i kombit shqiptar dhe mbrojtes i shpifur i qëndrimit të padronit të tij ndaj Rusisë.
Duke mbeshtetur në emër te Partisë Demokratike, fuqimisht, autoritet e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, dënoj me ashpërsinë më të madhe përpjekjet e presidentit të serbomadhisë Vuçiç për të ndezur flakët e nje konflikti të ri në rajon. Gjithashtu i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendos atë sa me shpejt para Gjykatës dhe ligjit ndërkombëtar për genocid dhe krime lufte si kusht themelor që të vendoset paqe e qëndrueshme në rajonin tonë.
20:35 – Shkëmbim zjarri mes serbëve dhe policisë së Kosovës në veri

Policia e Kosovës ka thënë se grupet kriminale që kanë bllokuar disa rrugë në veri të Kosovës kanë shtënë me armë zjarri kundër njësiteve policore në rrugën që të çon në pikën kufitare Bërnjak, e cila lidh Kosovën me Serbinë. Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se zyrtarët policorë u janë përgjigjur këtyre sulmeve, po ashtu, me armë zjarri dhe sulmuesit më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut”, thuhet në njoftimin e policisë në Kosovë.
Policia ka thënë se për të shtëna me armë zjarri është dëgjuar në disa pjesë të veriut, por nuk ka informacione për të plagosur.

20:24 – Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?! Raportohet sërish për shpërthime

Rrugët në veri të Mitrovicës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga barrikadat e vëna nga serbët, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç.

Sipas medieve kosovare,  gazetarët nuk po afrohen dot afër barrikadave për shkak se është dëgjuar një shpërthim në Rudarë, duke e bërë kështu të pasigurt qëndrimin në afërsi të atyre bllokadave.

Patrullat e KFOR-it e EULEX-it janë duke qëndruar në këtë pjesë të vendit.

Nga informacionet që Klan Kosova ka siguruar, bëhet e ditur se një patrullë e policisë ka mbetur në mes të dy barrikadave që kanë vënë serbët në Rudar.

Raportohet se zyrtarët policorë po ktheheshin nga pika kufitare në Jarinjë, megjithatë mobilizimi i serbëve i ka lënë në mes të barrikadave. Ata janë afruar afër një patrulle të KFOR-it derisa të krijohet një terren i përshtatshëm që ata të mund të dalin.

Edhe në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht në lagjen e Boshnjakëve, është duke vazhduar patrullimi i policisë para zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

20:06 – Rriten tensionet në veri, paralajmërimi i Vuçiç: Do të kërkojmë dislokimin e ushtrisë në territorin e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Vuçiq pretendon se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Në një konferencë për media, presidenti serb ka thënë se më 10 dhjetor është arritur pajtueshmëri për tekstin e kërkesës dhe se vendimi i Qeverisë do të merret “të hënën ose të martën”.

Misioni i KFOR-it nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në pyetjen se si i komenton paralajmërimet nga Serbia.

“Sigurisht që nuk kam iluzione dhe e di që do ta refuzojnë këtë kërkesë”. Kështu që po jua them paraprakisht. Por është mirë që një ditë nuk do të mund të thonë se nuk kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë Qeveri nuk guxoi të kërkonte”.

“Ata (KFOR) do të gjejnë arsye të panumërta për të cilat do të na informojnë se nuk është e nevojshme dhe se janë plotësisht në kontroll (të situatës), megjithëse nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Ne do të kërkojmë mënyrat e reja ligjore…. Lufta jonë formale-juridike ende nuk ka filluar”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i ankeksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

19:22 – Arrestimi i ish-policit serb, reagon Vuçiç: Një pamaturi! Ata që e kryen, kërcënuan paqen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi si veprim të pamatur arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nga autoritetet kosovare.

“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Kosova njoftoi se ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin Dejan Pantiq, të cilin e akuzon për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Pas arrestimit të Pantiqit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

“Pantiq është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, tha Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, Pantiq jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë, nën përcjelljen e Policisë, kishin tentuar të shkonin.

19:19 – OSBE mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri për në 23 prill të vitit të ardhshëm.

“Mirëpres vendimin e presidentes Osmani dhe të liderëve të partive politike për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune dhe ato për asambletë komunale në veri të Kosovës. Të gjithë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të ulur tensionet dhe për t’u përqendruar në dialog”, ka thënë ai në Twitter.

Vendimin e Osmanit e kanë mirëpritur edhe vendet e QUINT-it dhe ambasadori i BE-së në Kosovë.

Zgjedhjet fillimisht kishin qenë të planifikuara për 18 dhjetor.

18:11  – Vijojnë tensionet në veri të Kosovës, policia mbyll rrugët drejt pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut

Policia e Kosovës ka mbyllur rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë dhe kërkoi nga qytetarët që të përdorin pikëkalime të tjera.

Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.

“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Policia e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë arrestuar më 10 dhjetor ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-polici serb ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ai shtoi se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.

Që nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në kohën kur autoritetet zgjedhore po vazhdonin punën e tyre për organizimin e zgjedhjeve lokale, që fillimisht ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor.

Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për prillin e vitit të ardhshëm.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e zyrtarëve serbë nga niveli komunal e qendror, përfshirë nga Policia e Kosovës, gjyqësori dhe institucionet e tjera të Kosovës në veri.

Këto dorëheqje erdhën në shenjë kundërshtimi me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale serbe.

Lista Serbe po ashtu kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve për udhëheqësit e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

17:01 – Presidentja Osmani cakton datën e re për zgjedhjet në Veri

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë  politike dhe konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.

Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.

16:11  – Situata e tensionuar në veri të Kosovës, shtyhen zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se janë shtyrë zgjedhjet në veri për në prill të vitit 2023.

Ajo tha kështu pas një takimi që pati me përfaqësuesit e partive politike.

Osmani tha se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar dje në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo një konferencë për media pas takimit.

Ajo ka shtuar se kishte kontaktuar Bashkimin Evropian për t’i kërkuar mbështetje për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, por thotë se BE-ja i kishte bërë të ditur se për shkak të afatit të shkurtër kohor, nuk do të kishin mundësi të marrin pjesë.

“Deri tani asnjë organizatë vendore nuk është regjistruar po ashtu. Pra, këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar apo edhe vendor”, shtoi Osmani.

Data e saktë se kur do të mbahen zgjedhjet do të bëhet e ditur “sonte, më së largu nesër në mëngjes”, tha Osmani, duke shtuar se duhet të kontrollohet që data të mos korrespondojë me ndonjë festë zyrtare.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ishin planifikuar të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor.

Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

15:23- FOTO LAJM/ Rikthehen tensionet në Kosovë, persona të maskuar dhe të armatosur bllokojnë rrugët në veri

Në Veri të Kosovës ka sërish tensione. REL shkruan se janë bllokuar rrugët në Rudarë, komuna e Zveçanit, si dhe në Leposaviq. Po ashtu, në Mitrovicën e Veriut dhe në Rudarë janë dëgjuar sirenat. Në Rudarë janë parë edhe automjetet e ndihmës së parë.

Qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen në Rudarë.  Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, aty janë parë burra të maskuar dhe gra. Arsyeja e mbledhjes ende nuk është bërë e ditur, por ka informata se kjo vjen pas një arrestimi në veri.

Në këtë vend, Rudarë, më herët janë ngritur barrikada nga serbët lokalë. Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviç, ka deklaruar se në Jarinjë sot është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Nisur nga situata e krijuar, Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur në një takim krerët e partive politike, ku do të flasin për tensionet në veri. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar të marrë pjesë duke thënë se zgjedhjet në veri duhet të shtyhen. Nga ana tjetër, KQZ ka nisur përgatitjet për zgjedhjet, duke thënë se nuk është në kompetencën e saj për të marrë vendimin nëse do të shtyhen zgjedhjet.

Për shkak të incidenteve në veri, një polici i Kosovës ka mbetur i plagosu, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Por i menjëhershme ishte reagimi i Presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se në Kosovë nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!