Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit në SHBA, Todd D. Robinson ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare në datat 18-20 mars. Ambasada amerikane njofton se ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.
“Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) Todd Robinson mbërriti në Tiranë për një vizitë zyrtare. Z.Robinson rikthehet në Tiranë pasi ka shërbyer më parë në ambasadën tonë prej vitit 2004 deri në vitin 2006. Gjatë vizitës së tij, Ndihmës Sekretari Robinson do takohet me stafin e Ambasadës së SHBA, Kryeministrin Edi Rama, anëtarë të qeverisë, të institucioneve të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit për të theksuar bashkëpunimin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.”, njofton ambasada.
Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Robinson do të udhëtojë në Prishtinë në datat 20-22 Mars, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani.
“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët e INL në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.”, njoftoi DASH./abcnews.al