“Ndëshkim fajtorëve”. Princi saudit reagon për herë të parë lidhur me vrasjen e gazetarit

schedule22:51 - 24 Tetor, 2018

schedule 22:51 - 24 Tetor, 2018

Në reagimin e tij të parë lidhur me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi, princi saudit ka premtuar ndëshkimin e fajtorëve. Mohamed bin Salman ka deklaruar se ngjarja nuk do të krijojë përçarje mes Arabisë Saudite dhe Turqisë, gjë të cilën sipas tij e dëshirojnë disa shtete.

Princi saudit i kurorës ka reaguar për herë të parë personalisht në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi, duke premtuar ndëshkim për të gjithë fajtorët. Duke folur nga një forum biznesi në Rijad, Mohamed bin Salman tha se krimi ishte një ngjarje e dhimbshme për të gjithë sauditët. “Të gjithë përgjegjësit e kësaj vrasjeje do të dalin përpara drejtësisë”, tha Salman, i cili shtoi se shumë njerëz po përpiqen ta përdorin situatën e krijuar nga vrasja për të nxitur tensione mes Arabisë Saudite dhe Turqisë. “Dhe atyre unë u dërgoj një mesazh të thjeshtë: Nuk do t’ia dilni! Nuk do të ketë kurrë përçarje me Turqinë”, paralajmëroi monarku.

Më herët sauditët mohuan zërat se vetë princi kishte patur një rol kyç në vrasjen e Kashogit, e ndodhur më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll. Qeveria saudite ka fajësuar për ngjarjen agjentë tradhtarë të shërbimeve sekrete. Ndërkohë, presidenti turk Recep Tajip Erdogan deklaroi se gazetari ishte viktimë e një “vrasjeje politike” të përgatitur me kujdes nga oficerë të shërbimeve sekrete saudite. Vrasja e Xhamal Kashogit është kthyer në një incident diplomatik ndërkombëtar, që ka shtyrë shumë vende të Perëndimit të rishikojnë marrëdhëniet me mbretërinë dhe të paralajmërojnë sanksione./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!