Ndeshjet e ligave kryesore: Inter futet në zonën Champions, Barça dhe Real fitojnë, City dhe Bayern Munich në krye

schedule14:38 - 1 Maj, 2023

schedule 14:38 - 1 Maj, 2023

Nga Hergi Llupi

Janë mbyllur ndeshjet e ligave kryesore të Evropës. Ka qenë një fundjavë me ndeshje të mrekullueshme dhe me spektakël, ku edhe surprizat nuk kanë munguar.

Në Serie A, Inter ka marrë një fitore fantastike me përmbysje në “San Siro” kundër Lazios me rezultatin 3-1. Për zikaltërit kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme, pasi tashmë ata renditen në vendin e katërt të ligës italiane, pra në zonën Champions. Roma dhe Milan janë ndarë në paqe me barazimin 1-1, por një ndeshje me tepër emocione dhe dramë, pasi të dy golat erdhën në çastet e fundit të ndeshjes. Me nga 1 pikë për secilën, Milan dhe Roma aktualisht ndodhen jashtë zonës së Champions League, dhe cdo javë lufta bëhet edhe më e ashpër dhe më e bukur për një vend për sezonin e ardhshëm në Champions League. Juventus nuk ka mundur të marrë një fitore ndaj Bologna, pasi bardhezinjtë barazuan me rezultatin 1-1. “Zonja e Vjetër” nuk po njeh më fitore, pasi ka 4 ndeshje radhazi në ligë që nuk fiton, por vetëm një barazim dhe 3 humbje. Ata aktualisht ndodhen në vendin e tretë me 60 pikë, 3 më shumë se Interi i vendit të katërt. Festa e Scudettos së Napolit është shtyrë, pasi edhe pse Interi i bëri një nder duke mposhtur Lazion për të mundësuar matematikisht statusin kampion, Napoli nuk mundi të fitonte kundër Salernitanës, pasi ndeshja përfundoi në barazim.

Premier League ka dhuruar emocione dhe gola këtë fundjavë. Liverpool-Tottenham ishte ndeshja e javës, me të kuqtë e Klopp që morën një fitore të çmendur kundër Tottenham me shifrat 4-3. Ndeshja mori disa rrugë të ndryshme për pak minuta. Liverpool dukej sikur do e fitonte ndeshjen deri në minutën e 93-të, por Richarlison shënoi golin e barazimit 3-3. Por as barazimi nuk ndodhi, pasi në minutën e 94-të, Diogo Jota shënon golin e fitores për Liverpool. Beteja bëhet e ashpër tashmë dhe shpresat për Liverpoolin që të pozicionohet në një vend për në Champions League sezonin e ardhshëm nuk shuhet. Skuadra e Klopp ndodhet aktualisht në vendin e pestë me 56 pikë, 7 më pak se Manchester United i vendit të parë dhe 2 më shumë se Tottenham i vendit të gjashtë. Manchester City vazhdon të mos ndalet duke synuar vetëm vendin e parë dhe trofeun e Premier League. “Qytetarët” fituan në transfertë ndaj Fulham me rezultatin e ngushtë 1-2. Tashmë, aktualisht, City ndodhet në vendin e parë me 76 pikë, edhe pse ndodhet me një ndeshje më pak se rivalët e tyre të Arsenal. Manchester United ka marrë një fitore me peshë ndaj Aston Villa me rezultatin minimal 1-0, duke bërë kështu një rrugëtim bindës për të zënë një vend në Champions. Neëcastle gjithashtu vazhdon me formën e mrekullueshme, pasi mposhti Southampton në shtëpi me shifrat 3-1. Leicester-Everton dhe Arsenal- Chelsea janë dy sfidat të cilat nuk janë luajtur të kësaj fundjave, ku e para do të luhet më datë 1 maj, ndërsa “toppcinjtë” do të sfidojnë “blutë” e Londrës më datë 2 maj.

Në Bundesliga vazhdon ende lufta e hapur për vendin e parë. Dortmund nuk mundi të merrte një fitore ndaj Bochum në transfertë, pasi ndeshja përfundoi 1-1. Me fitoren e Bayern Munich me shifrat 2-0 ndaj Hertha, bëri që bavarezët të rikthehen në vendin e parë me 62 pikë, ndërsa Dortmund në vendin e dytë me 61 pikë. Sfidë e bukur mes Union Berlin, Freiburg dhe Leipzig, pasi një nga këto të tre do të mbetet jashtë Champions League sezonin e ardhshëm.

Në La Liga, Barcelona ende nuk po konfirmon matematikisht fitoren e këtij kampionati. Katalanasit fituan thellë me rezultatin 4-0 kundër Betis, duke mbajtur ende distancën prej 11 pikësh ndaj rivalëve të Real Madrid. “Los Blancos” gjithashtu morën një fitore me shifrat 4-2, por kështu, vetëm sa janë duke i shtyrë festën rivalëve të tyre të përjetshëm. Atletico Madrid mori një fitore të rëndësishme ndaj Valladolid në transfertë me shifrat 2-5, duke blinduar akoma edhe më shumë vendin e tretë.

Raundi i 31-të në Superligën shqiptare ka parë Tiranën të fitojë minimalisht ndaj Kastriotit në shtëpi. Bardheblutë kështu mbajnë distancën prej pesë pikësh ndaj rivalëve të përjetshëm të Partizanit, pasi Tirana ndodhet në vendin e parë me 59 pikë, ndërsa “demat” në vendin e dytë me 54 pikë. Këta të fundit morën një fitore ndaj Erezenit në transfertë me shifrat 1-2, një ndeshje e vuajtur por me fitore në fund.Vllaznia është shokuar në shtëpi nga Egnatia, me rrogozhinasit që fituan me shifrat 0-4. Laçi ka mposhtur në transfertë ballshiotët e Bylis me rezultatin 0-2. Tre beteja të forta në këtë kategori, pasi përveç luftës për të fituar trofeun mes ekipeve të kryeqytetit, betejë e hapur është edhe mes Egnatia dhe Laçit për një vend në Evropë, pasi distanca mes tyre është vetëm me 3 pikë, dhe ajo mes Erzenit dhe Kukësit për mbijetesë, me një diferencë prej 1 pike./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!