Superiorja vijon rrugëtimin. Kreu ka ndryshuar, me Tiranën që parakaloi Kukësin. Sot është radha e Partizanit për të zbritur në “Air Albania Stadium” dhe për të tentuar tre pikët, që do e afronin katër pikë me bardheblutë. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, duke pasur parasysh që të kuqtë do të përballen me Bylisin. Kjo sfidë luhet prej orës 17:00.
Në të njëjtin orar luhet një tjetër takim i rëndësishëm, në Korçë. Skënderbeu vendas pret Teutën, skuadër që synon kupat e Europës. Fazën e parë korçarët kanë triumfuar, kurse durrsakët janë hakmarrë në takimin e dytë në “Niko Dovana”.
Në orën 14:00 luhen dy takime të tjera. Flamurtari i vendit të fundit, pasi mundi Luftëtarin një javë më parë, do tentojë të marrë pikë ndaj Laçit. E kanë bërë edhe më parë, kur në fazën e para dolën 3-3 në Vlorë dhe do tentojnë ta përsërisin sërish. Nga ana tjetër skuadra e Armando Cungut është e dënuar të fitojë.
E njëjta gjë vlen edhe për Vllazninë e Mirsad Jonuz. Shkodranët luajnë në shtëpi me Luftëtarin e vendit të parafundit dhe do të kërkojnë tre pikët, që i afrojnë kuqeblutë me skuadrat e sipërme të renditjes. /abcnews.al