Ndërtimi i HEC-eve mbi Osum, Gjykata Administrative anulon vendimin

schedule15:11 - 31 Korrik, 2018

schedule 15:11 - 31 Korrik, 2018

Hidrocentralet mbi Osum nuk do të ndërtohen. Gjykata Administrative i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, e cila pak muaj më parë pezulloi punimet. Ministri Blendi Klosi e cilësoi këtë vendim nxitje për të vijuar betejat në mbrojtje të natyrë.

Gjykata Administrative ka vendosur anulimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve në kanionet e Osumit. Ajo ka rrëzuar ankimimin e kompanive private dhe i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, e cila pak muaj më parë pezulloi punimet. Ministri Blendi Klosi gjatë një aktiviteti në ditën botërore të Rangers e cilësoi këtë nxitje për të vijuar betejën ndaj çdo vendimi të padrejtë.

“Në bazë të vlerësimit të Gjykatës Administrative, vendimi ynë i disa muajve më parë për bllokimin e këtyre dy HEC-ve është marrë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe procedurat ligjore në fuqi. Vendimi i gjykatës na nxit edhe më shumë në intensifikimin e përpjekjeve tona për të parë procedurat e të shkuarës. Për të riparë trashëgiminë në zyrat tona, e cila është mbushur me bomba, me veprime ilegale, në kundërshtim të drejtëpërdrejtë të komunitetit tonë”, tha ai.

Por jo gjithmonë drejtësia ka qenë për mbrojtjen e natyrës. Ministri Klosi ndërsa bën këtë deklaratë i referohet vendimeve të dhëna nga gjykata për guroret në Berat.

“Ne kemi parë vendime jo të drejta nga ana e gjykatave. Në rastin e bllokimit të 9 guroreve në malin e Tomorrit, dy prej të cilave gjykata iu dha leje për të vazhduar punë, paçka se ata tashmë janë pasuri dhe mbrohem. Ne nuk do lejojmë që pasuria atje të shkatërrohet”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit deklaroi se lufta për mbrojtjen e natyrës do të vazhdojë pa kompromis. Ndërkohë ministri Klosi vlerësoi me certifikata të rinjtë e parë të programit Junior Rangers, që zhvillohet pranë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!