Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nderohet me dekoratën “Urdhri i Yllit të Italisë” sopranoja shqiptare Inva Mula

schedule16:14 - 25 Maj, 2021

schedule 16:14 - 25 Maj, 2021

Nga Leontina Nika 

Presidenti i Republikës së Italisë, z.Sergio Mattarella  nderon  me “Urdhrin i Yllit të Italisë” sopranon e njohur shqiptare, Inva Mula. Ceremonia u mbajt në rezidencën e Ambasadorit të Italisë në Tiranë, dhe ky titull iu dorëzua nga ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Ky është edhe aktiviteti i parë kulturorë i mbajtur pas pandemisë në këtë ambient.

“Jam i lumtur që kam në rezidencën e Ambasadës italiane, artisten e madhe, një interpretuese të shkëlqyer, zonjën Inva Mula.

Motivacioni i këtij nderimi, është për karrierën e saj të jashtëzakonshme, si soprano e vlerësuar pa diskutim në Shqipëri, Itali dhe në botë, për përhapjen e kulturës, muzikës, artit dhe historisë italiane, përmes operave të mëdha, të shkruar nga kompozitorët italianë dhe interpretuar në mënyrë të mrekullueshme prej saj, në teatrot e gjithë botës”, tha ai.

Sopranoja shqiptare edhe pse është nderuar me shumë çmime e vlerësime gjatë karrierës së saj, ky titull e ka prekur shumë për këtë arsye

“Më ka prekur sepse kjo tregon që të gjithë ne artistët kemi nevojë për të gjithë këtë kulturë të madhe italiane, për të gjithë kompozitorët që kanë qenë dhe janë shtylla e artit tonë të të kënduarit. Më pëlqeu shumë motivacioni sepse është njohja e kontributit të artit italian që unë kam dhënë në botë”, tregon ajo.

Inva Mula, ka skalitur me zërin dhe interpretimin e saj skenik, kryeheroinat e Operas italiane, por kur e vë të zgjedhë mes tyre, veçon Violetën.  

Pandemia i dha një goditje të fortë artit, por artistët nuk u dorëzuan, ata gjetën forma përshtatje kur jeta vihej në pikëpyetje, thekson artistja.

Inva Mula kohët e fundit ka qenë shumë prezente në Kosovë, ajo thotë se po kontribuon për diçka e cila do mbahet mend gjatë

“Është detyrim i imi. Çfarë mund të jetë një artist nëse nuk ka dhënë kontribut. Kontributi nuk është vetëm në skenë, por të ndërtojmë diçka që të ngelet historike dhe të mbahet mend dhe projekti që po bëjmë do të mbahet mend”, thotë sopranoja Inva Mula.

Ceremonia e nderimit për sopranon, u mbajt me pak persona në respekt të masave anti-Covid. Në këtë ceremoni simbolike, artistja u shoqërua nga bashkëshorti Hetem Ramadani dhe e bija Nina si dhe disa  miq të afërm, ku binte  në sy edhe prezenca e tenorit të famshëm, Saimir Pirgu.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!