Kreditë e aprovuara për bizneset dhe individët kanë qenë më të lira në muajt e parë të këtij viti.Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë Interesat e kredisë së re në lek janë shfaqur relativisht të qëndrueshme dhe në nivele të ulëta në tre muajt e parë të vitit .Ecuria e tyre tregon për një përcjellje të mirë të dy uljeve të normës bazë, të ndërmarra në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Interesi i kredisë së re për biznese rezultoi mesatarisht 6.4% në tremujorin e parë të vitit, duke mbetur i pandryshuar nga tremujori i kaluar dhe lehtas më poshtë se mesatarja e vitit 2024, prej 6.6%. Për individët, normat janë ulur për kreditë konsumatore në 8.2%, nga 8.5% që shënonin në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Norma e interesit për kreditë hipotekare shënoi 3.7% këtë tremujor, duke mbetur e njëjtë me atë të tremujorit paraardhës.
Në këndvështrimin makroekonomik, reduktimi i primeve të rrezikut në dy vitet e fundit është diktuar nga performanca e mirë e ekonomisë dhe aftësia për të përballuar goditjet
negative, konsolidimi i bizneseve dhe rritja e aftësisë paguese të kredimarrësve.
Po ashtu në të njëjtin trend kanë qenë edhe normat e interesit për kreditë në euro të cilat kanë vijuar rënien në tremujorin e pare.
Lehtësimi i shpejtë i politikës monetare nga BQE-ja është reflektuar në normat referencë të monedhës Euro në tregun ndërkombëtar, duke diktuar rënie të interesave të kredisë në Euro në vend pas muajit gusht të vitit të kaluar. Interesi mesatar i kredisë së re në Euro për bizneset shënoi 5.7% në tremujorin e parë, nga 6.1% që ishte në gjashtëmujorin e dytë të vitit të
kaluar. Ndërkohë, interesi mesatar i kredisë hipotekare në Euro për individët, pas rënies së shpejtë në tremujorët e mëparshëm, regjistroi një ulje minimale prej 0.1 pikë përqindjeje këtë tremujor, duke u ndalur në 4.8%.
Tremujori i parë i këtij viti është karakterizuar edhe nga një rënie e lehtë e interesave të depozitave në lek, ndërkohë ato në euro mbeten të pandryshuara, duke u luhatur në nivele minimale./abcnews.al

