Do të ndalohet importi i automjeteve që janë mbi 10 vjet të përdorura. Ky vendim i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave nuk prek automjetet që qarkullojnë sot në Shqipëri të cilat rezultojnë të regjistruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Automjetet që janë të përdorura mbi 10 vjet nuk do të lejohen të importohen. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë i cili hyn në fuqi 30 ditë pas miratimit në Fletoren Zyrtare.
Se cilat mjete do të ndalohen të hyjnë në Shqipëri e ka sqaruar më herët ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi në një takim me grupet e interesit.
Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit: “Nuk do të kërkojmë heqjen e makinave që janë sot në qarkullim, por do të kërkojmë kufizmin e futjes s ëmakinave të reja më të reja se 10 vjet. Duke mos shqetësuar njerëzit për makinat që kanë, por duke u kërkuar të gjithëve që të kemi një mirëkuptim më të drejtë. Një kuptim më të pastër të të gjithë kësaj filozofie dhe një kuptim për njerëzit e thjeshtë.”
Ndërsa mjetet motorike të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Vendimi i qeverisë përcakton gjithashtu se automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme. Ky vendim nuk zbatohet për importin e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi./abcnews.al

