Pas deklaratave të kreut të opozitës Lulzim Basha, lidhur me për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i policisë së Shtetit. Në njoftimin e saj policia sqaron se të gjithë protestuesit e datës 18 dhjetor, të shpallur në kërkim për kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë së Rendit Publik, kanë për detyrë të ndalojnë në çdo pikë kontrolli. Kjo gjë sipas policisë ka ndodhur edhe ditët e fundit kur janë ndaluar, u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lire.
“Mbi këtë bazë, sistemi TIMS në Pikat Kufitare dhe çdo patrulle policie që bie në kontakt me këta shtetas, ka detyrimin t’i ndalojë ata dhe të njoftojë OPGJ që ndjek çështjen.
Kjo ka ndodhur edhe ditët e fundit, kur janë evidentuar, ndaluar, ku u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lirë, disa persona të shpallur në kërkim policor”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetimet ndaj tyre vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Policia e Shtetit sqaron më tej se: “garanton të drejtën e protestës, por nuk do të hezitojë në asnjë rast të ushtrojë forcën e ligjin ndaj kujtdo që e shkel atë”./abcnews.al