Ndalim qarkullimi pas orës 20:00: Çfarë ndodh me shkollat, kur mbyllen baret dhe restorantet

schedule12:19 - 10 Shkurt, 2021

schedule 12:19 - 10 Shkurt, 2021

Komiteti Teknik i Ekspertëve mori katër vendime të rendësishme gjatë ditës së sotme me qëllim përballimin e situatës së krijuar nga pandemia.

Vendimi i parë lidhet me ndalimin e qarkullimit duke filluar nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit për të gjithë. Përjashtim nga ky ndalim bëjnë vetëm ata që kanë urgjenca shëndetësore dhe ata që shkojnë në punë.

Vendimi i dytë lidhet me aktivitetin e restoranteve dhe bareve, të cilët do të mund të qendrojnë hapur deri në orën 20:00 të mbrëmjes dhe mund të hapen vetëm pas orës 06:00 të mëngjesit.

Sa i përket shkollave të mesme, mësimi do të kalojë online deri më datë 25 shkurt në rrethet: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz duke aplikuar kështu skenarin nr.3 të protokollit të sigurisë të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë.

Vendimi i katërt lidhet me shtyrjen e sezonit të provimeve të semestrit në universitete duke bërë një kombinim mes provimeve online dhe me prezencë sipas nevojave që mbart lënda.

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se tani nevojitet solidariteti i të gjithëve për përballimin e situatës së krijuar.

“Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes së qytetarëve nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 për një periudhë 14 ditore deri më 25 shkurt. Ndalimi i aktiviteteve të restorantëve dhe barëve në fashën e vendosur të orarit të lëvizjes nga data 11 shkurt deri më 25 shkurt. Shkollat e mesme me zonat e riskut të lartë do të aplikojnë skenarin e tretë atë të mësimit onlinë në disa shkolla.Shkollat e mesme në zonat e riskut të lartë, Tiranë, Fier , Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër dhe Kazmës do aplikojnë skenarin e trete ate online. Sezoni i provimeve për universitetit rekomandohet të zgjatet, kombinim online  dhe në monitor i provimeve”, tha Manastirliu.

Skenaret sipas Protokollit te Ministrise se Arsimit dhe asaj te Shendetesise

Masat shtërenguese të miratuara nga Komiteti Teknik sot

– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.

Këto ishin vendimet e sotme të cilat hyjnë në fuqi duke filluar nga dita e enjte dhe do të rivleresohen pas dy javësh, në varësi të situates epidemiologjike dhe treguesve që ekspertët monitorojne.

Për rregullat qe kemi aktualisht dhe për këto masa të reja të sapo shpallura, nuk do të ketë tolerancë për moszbatimin e masave dhe protokolleve antiCOVID. TaskForca AntiCOVID do të jetë 24 orë në terren për të monitoruar zbatimin e masave, në cdo cep të vendit“, tha Manastirliu duke shtuar se dy javët e ardhshme janë vendimtare.

 

Shqipëria po përballet me një numër të rritje të rasteve të reja me koronavirus gjatë javëve të fundit duke detyruar autoritetet që të marrin masa shtesë.

Vetëm gjatë ditës së djeshme u konfirmuan 1 239 raste të reja dhe 16 viktima. Gjatë ditës së djeshme u shënua rekordi i ri për numrin e të prekurve me koronavirus.

Çfarë parashikon skenari 3 për shkollat

Mësimi zhvillohet vetëm në distancë, online me platformë të dedikuar akademi.al, në rast se situata e COVID-19 përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, në nivel lokal ose në nivel shkolle.

Në këtë skenar shkolla do të hartojë orarin e shkollës për mësimin në distancë, online me platformë të dedikuar akademi.al.

Për të lehtësuar punën e mësuesit, në komunikimin online, klasat me numër të madh nxënësish mund të ndahen me grupe ose mund të realizohet mësimi me të gjithë klasën nëse platforma online e krijon këtë mundësi.

Ora e mësimit do të jetë 25 minuta. Mësimi zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Për këtë skenar, udhëzimet për organizimin, udhëzimet metodologjike dhe udhëzimet për vlerësimin e nxënësit i gjeni në kapitujt përkatës në këtë udhëzues. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!