A thua e pabesueshmja më në fund do të ndodhë?
Kur ke më shumë se gjysmë shekulli që pret, të duket e vështirë edhe nëse e prek trofeun me dorë, por gjithsesi Nju Jorku është më afër se kurrë.
Niksat e nisën me këmbën e mbarë serinë finale për titull në NBA, duke arritur fitore në “gojën e ujkut”, në fushën e San Antonios.
Spërsat, që cilësohen favoritë për titullin, dhe që kishin epërsinë e faktorit fushë, u mundën në shtëpi me shifrat 105-95, në nisje të një beteje të ashpër që mund të zgjasë plot 7 ndeshje.
Më I miri në parket për miqtë, por edhe në përgjithësi, ishte Xhejlën Branson, numri 1 I Nju Jorkut, që shënoi 30 pikë.
Ai nuk bëri shumë më tepër, me vetëm tre topa në tabela e dy asistë, por gjithsesi ishte katalizatori I vetëve.
Ekipi nga qyteti që mbiquhet “Molla e Madhe”, luajti I bashkuar, dhe Tauns shtoi 18 pikë e 12 topa në tabela, Anuobi 17 dhe Shamet pati 13 pikë.
San Antonio e nisi më mirë ndeshjen, por më pas njujorkezët morën në dorë frenat e lojës.
Nuk u bëri punë vendasve “alieni” nga Franca, Viktor Uembaniama.
Gjigandi tepër I talentuar shënoi 26 pikë dhe shtoi 12 topa në tabela, 2 asiste, 1 vjedhje topi dhe 3 bllokime gjuajtjesh, por gaboi shumë në gjuajtjet për tri pikë si dhe e humbi tepër shpesh topin.
Ndeshja e dytë finale për titull në NBA do të luhet duke u gdhirë 7 qershori sipas orës së Shqipërisë, sërish në San Antonio.


