NBA/ Babë e bir në një ekip, djali i LeBron James siguron marrëveshjen me skuadrën e Lakers

schedule17:36 - 26 Shtator, 2024

schedule 17:36 - 26 Shtator, 2024

Një ëndërr e dyfishtë u realizua.

LeBron James do të luajë në krah të të birit në basketbollin amerikan, pasi Bronny James u zgjodh për të qenë pjesë e NBA, me 19-vjeçarin, që do të veshë fanelën e Los Angeles Lakers, njërit prej dy klubeve më të mëdhenj në rruzull, e do të jetë bashkë me të atin.

Një kontrast i madh ky, pasi mes dy basketbollistevë që i përkasin të njëjtës familje ka një diferencë moshe 20-vjeçare, me “Mbretin”, LeBron James, i cili është 39 vjeç, e në dhjetor të këtij viti mbush 40, teksa mund të konsiderohet edhe si legjenda e madhe dhe e gjallë e basketbollit amerikan dhe atij botëror.

Në 20 vjet karrierë, ka fituar 4 tituj, ka thyer rekordin e pikëve dhe është lojtari më i kompletuar në histori, në të gjithë elementët si pikët, topat në tabela e asistet. Nuk dihet nëse do të cilësohet më i madh sesa Michael Jordan, i barabartë apo pak më poshtë se ai, gjithsesi, dëshira e tij e madhe vitet e fundit ishte të vazhdonte aq sa të luante me të birin.

Sidoqoftë, nuk dihet nëse kjo dyshe, “babë e bir” do të ketë sukses në parket. Nëse si biznes është i shkëlqyer, Bronny James ka marrë kritika për nivelin e tij të basketbollit, madje këto janë shtuar kohët e fundit e për më tepër, ai pati edhe operacion në zemër, ndërsa vazhdonte në basketbollin e kolegjeve. /i.m /abcnews.al