Navalny u vra para se të lirohej në një shkëmbim të burgosurish

schedule11:54 - 26 Shkurt, 2024

schedule 11:54 - 26 Shkurt, 2024

Alexei Navalny u vra sepse do të lirohej në një shkëmbim të burgosurish, sipas zëdhënëse së kritikut të ndjerë të Putinit.

Kira Yarmash tha se Navalny do të shkëmbehej me një vrasës me pagesë rus të profilit të lartë, i cili kishte punuar me shërbimin e sigurisë FSB të Moskës, duke iu referuar Vadim Krasikov.

Krasikov është aktualisht në një burg gjerman, duke vuajtur një dënim të përjetshëm për vrasjen e disidentit çeçen të lindur në Gjeorgji Zelimkhan Khangoshvili në një park të Berlinit në vitin 2019.

Një gjykatë gjermane pretendoi se ishte një vrasje “e urdhëruar nga shteti”. Yarmash tha se bisedimet për shkëmbimin ishin në fazat e tyre përfundimtare dhe Navalny do të lirohej së bashku me dy shtetas amerikanë.

Këto mund të përfshijnë gazetarin amerikan Evan Gershkovich, i cili ishte planifikuar të shkëmbehej me Vadim Krasikov sipas raporteve ende të pakonfirmuara.

Gjithashtu edhe Maria Pevchikh, një gazetare dhe aktiviste ruse në luftën kundër korrupsionit tha këtë të hënë se Alexei Navalny ishte shumë pranë lirimit nga burgu përpara vrasjes së tij, si pjesë e një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA per shkëmbimin e te burgosurve.

Lideri i opozitës Ruse Alexei Navalny u nda nga jeta në moshën 47 vjeçare në Koloninë Penale të Arktikut ku vuante dënimin me 19 vite burg mbi akuzat për ekstremizëm. Kremlini mohon se fshihet pas vrasjes së Navalny ndërsa Perëndimi dhe Uashingtoni kanë akuzuar drejtë për së drejti vetë Vladimir Putin se qëndron pas kësaj ngjarjeje.

Në certifikatën e vdekjes së Navalnyt që i është dorëzuar nënës së tij thuhet se lideri i opozitës ruse u nda nga jeta për shkaqe natyrore.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!