NATO-ja dhe ushtria e Serbisë kanë filluar stërvitjet e para të përbashkëta ushtarake të martën në bazën ushtarake “Jugu” dhe poligonin e stërvitjes “Borovc” pranë Bujanocit.
“Gjatë aktiviteteve dyjavore në terren, do të praktikohen teknikat dhe procedurat e përdorura në operacionet e mbështetjes së paqes, siç janë siguria në baza, puna në pikat e kontrollit, kontrolli i tubimeve masive dhe luftimet urbane”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Stërvitjet do të mbahet deri më 23 maj.
Në këto stërvitje po marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të ushtrisë serbe dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Turqisë.
Pjesëmarrës janë gjithashtu edhe planifikues dhe vëzhgues ushtarakë nga Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Rumania, Shtetet e Bashkuara, Serbia, Turqia, Franca dhe Mali i Zi.
Stërvitja përfaqëson një vazhdim të bashkëpunimit midis Serbisë dhe NATO-s në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Serbia është anëtare e programit të NATO-s, Partneritetit për Paqe, që nga viti 2006, por këmbëngul në neutralitetin ushtarak.
Pasi Rusia nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Serbia vendosi moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj.
Megjithatë, pati përjashtime, siç ishin stërvitjet ushtarake “Ujku Platin” në vitet 2023 dhe 2025, të cilat u mbajtën me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve të tjera anëtare të NATO-s.
Në Serbi, ekziston një narrativë negative ndaj NATO-s, e cila mbështetet edhe nga autoritetet, si rezultat i bombardimeve në vitin 1999 për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Në të kaluarën, përveç ushtrimeve me forcat e armatosura të SHBA-së, ushtria serbe ka zhvilluar stërvitje ushtarake edhe me ushtrinë kineze, por ndryshe nga vitet e kaluara, që nga viti 2022 nuk ka pasur ushtrime të përbashkëta midis Serbisë dhe Rusisë.



