NATO po e shqyrton mundësinë e rritjes së prezencës ushtarake në shtetet e Baltikut dhe Poloni, në rast se Rusia vazhdon të dërgojë trupa në Bjellorusi për stërvitjet e planifikuara ushtarake, tha kreu i komitetit ushtarak të aleancës.
Rusia ka dërguar 30,000 trupa në Bjellorusi – që gjendet në veri të Ukrainës – për stërvitjet ushtarake, që janë planifikuar të mbahen këtë muaj, tha NATO. Ndërkaq, vlerësohet se Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa të tjera përgjatë kufirt me Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara javën e kaluar kanë dërguar 3,000 trupa shtesë në Rumani dhe Poloni për të siguruar aleatët, ndërkaq Gjermania ka thënë se po e shqyrton mundësinë e rritjes së dislokimeve ekzistuese ushtarake në Lituani.
Dislokimet e mëtejme nga aleatët e NATO-s janë të mundshme, tha Rob Bauer, admiral holandez, i cili drejton trupin kryesor për strategji ushtarake të NATO-s.
“Ku kemi trupa vazhdimisht, në shtete të ndryshme – debati për këtë çështje është si rezultat i gjërave që janë duke ndodhur aktualisht. Po, po e shqyrtojmë si mundësi. Mund të ketë ndryshime në të ardhmen si rezultat i këtyre zhvillimeve”, tha Bauer gjatë një konference për media në Vilnius.
“Varet shumë, patjetër, nëse trupat ruse në Bjellorusi do të qëndrojnë në Bjellorusi”, shtoi ai.
Moska ka thënë se nuk ka plane që ta pushtojë Ukrainën, por mund të ndërmarrë veprime të paspecifikuara ushtarake, nëse kërkesat e saj të sigurisë nuk plotësohen. Në mesin e kërkesave ruse është që NATO të mos e pranojë kurrë Ukrainën, kërkesë e cila nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara është cilësuar si e papranueshme.
“Nëse shikoni grumbullimin e trupave, Rusia mund të jetë në gjendje, që me trupat e mjaftueshme që aktualisht ka të kryejë një pushtim serioz…. në fund të këtij muaji”, tha Bauer.
“Nuk e dimë nëse ata do ta bëjnë një gjë të tillë ose nëse ky është qëllimi i tyre apo jo”, shtoi ai.
Bjellorusia dhe Rusia kanë thënë se do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake nga 10 deri më 20 shkurt.
Dislokimet e fundit në kufirin bjellorus përfshijë njësi mjekësore ushtarake dhe njësi të tjera që do të ishin të nevojshme për të mbështetur një sulm ushtarak, tha Bauer.
“Nëse vërtetë po e shqyrtoni mundësinë e një pushtimi, juve do t’iu duhet më shumë sesa vetëm forcat luftarake. Kjo është ajo që ne po shohim gjithnjë e më shumë, të grumbullimeve përgjatë kufijve me Ukrainën dhe në kufirin midis Bjellorusisë dhe Ukrainës. Ky fakt, në vetvete është shumë shqetësues”, tha ai./REL