Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Rusia mund të marrë kontrollin e Bakhmut gjatë ditëve në vijim.
“Ajo që ne shohim është se Rusia po dërgon më shumë trupa, më shumë forca dhe ajo që Rusisë i mungon në cilësi, ata po përpiqen ta plotësojnë në sasi. Ata kanë pësuar humbje të mëdha, por në të njëjtën kohë, nuk mund të përjashtojmë që Bakhmut të jetë në kontrollin e forcave ruse në ditët në vijim”.
Kreu i aleancës ushtarake perëndimore, që mbështet Ukrainën, këmbënguli se “është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se kjo nuk pasqyron domosdoshmërisht ndonjë pikë kthese të luftës.
“Kjo thjesht thekson se ne nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë. Ne duhet të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për Ukrainën”, tha ai.
Statusi aktual i Bakhmutit është shumë i diskutueshëm. Grupi mercenar rus Ëagner pretendoi të mërkurën se ka pushtuar pjesën lindore të qytetit.
Njoftimi erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se rënia e Bakhmut do t’i jepte Moskës një “rrugë të hapur” për pushtimin e qyteteve të tjera në Ukrainë.
Luftimet intensive rreth Bakhmutit kanë qenë më të gjatat dhe më të përgjakshmet në pushtimin më shumë se njëvjeçar të Rusisë, i cili ka shkatërruar zona të Ukrainës dhe ka zhvendosur miliona njerëz.
/abcnews.al