NATO paketë tjetër ndihme për Ukrainën dhe një strategji te re për mbrojtjen në një botë më të rrezikshme

schedule01:30 - 29 Qershor, 2022

schedule 01:30 - 29 Qershor, 2022

NATO do të miratojë një paketë të re ndihme për Ukrainën në samitin e Madridit, për të ndihmuar vendin t’i rezistojë agresionit rus.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri me dije në një konferencë të përbashkët me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, se vendet anëtare do të bien dakord për një paketë gjithëpërfshirëse ndihme.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të jemi gati të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje sepse Ukraina tani përballet me brutalitet që nuk e kemi parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Stoltenberg.

Ai vuri në dukje se samiti i Madridit do të ishte një samit i rëndësishëm pasi aty dot ë dakordësohet për një Koncept të ri Strategjik, Konceptin Strategjik të Madridit, që do të jetë plani për NATO-n në një botë më të rrezikshme dhe të paparashikueshme.

“Ne do të biem dakord për një ndryshim thelbësor të parandalimit dhe mbrojtjes sonë me më shumë forca të gatishmërisë së lartë, me më shumë mbrojtje përpara, me më shumë pajisje të para-pozicionuara. Dhe më pas, ne shpresojmë të bëjmë përparim në pranimin e Finlandës dhe Suedisë. Dhe atëherë, sigurisht, ne gjithashtu do të themi se për të qenë në gjendje të mbrohemi në një botë më të rrezikshme, ne gjithashtu duhet të investojmë më shumë në mbrojtjen tonë”, tha Stoltenberg. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!