Michael Kofman –The Economist
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Performanca e dobët ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka dëmtuar rëndë reputacionin e forcave të saj të armatosura. E bllokuar dhe me humbje në rritje, ushtria ruse vështirë se të jetë forca e dytë ose e tretë më e aftë në botë, siç mendohej më parë.
Anasjelltas, NATO është rigjallëruar, me Finlandën dhe Suedinë që shpresojnë t’i bashkohen aleancës. Pushtimi i Vladimir Putinit ka rezultuar në një llogaritje të gabuar kolosale. Megjithatë, disa në NATO mund të jenë duke i mbivlerësuar mësimet e kësaj lufte dhe duke dështuar në qasjen e një këndvështrimi më të gjerë të sigurisë europiane.
Rusia nuk do të largohet si një konkurrent strategjik. Përparimi i saj në Ukrainën lindore gjatë ditëve të fundit, nuk ka arritur suksesin që ajo ka dëshiruar. Nëse fuqia ushtarake e Rusisë ishte mbivlerësuar më parë nga perëndimorët, tani ndoshta është nënvlerësuar.
Realiteti qëndron mes të dyjave. Rusia nuk është kurrë aq e fortë, por as aq e dobët sa duket.
Më e rëndësishmja, fuqia ushtarake është shpesh e lidhur ngushtë me kontekstin dhe shumica e performancës së Rusisë në këtë luftë mund të lidhet me veçantinë e planit të saj dhe supozimet politike të udhëheqjes së saj.
Gjatë fillimit të pushtimit, forcat e armatosura të Rusisë ndoqën një strategji ushtrarake ndryshe, duke ndjekur objektiva të paarritshme. Trupat rusë nuk ishin të informuar dhe as të përgatitur për një luftë të madhe. Por që atëherë, ata janë përshtatur.
Në Donbas, forcat ruse po zhvillojnë një ofensivë të ngjashme me mënyrën se si ata stërvitën dhe organizohen për të luftuar. Pavarësisht nga një forcë e reduktuar ndjeshëm, ofensiva ruse ka shënuar suksese në rritje. Lufta mund të zgjasë edhe më shumë.
Rusia dështoi në përpjekjen e saj për të mohuar sovranitetin e Ukrainës, por është e paqartë nëse Ukraina do të jetë në gjendje të rimarrë territoret e humbura, edhe me mbështetjen e madhe të Perëndimit.
Por siç paraqitet situata tani, ushtria ruse nuk është në gjendje të nisë një tjetër konflikt, e aq më pak me NATO-n. Megjithatë, kjo duhet të qetësojë anëtarët e NATO-s. Mund të jetë joshëse të besojmë se për shkak se Ukraina ka rezistuar kundër forcave ruse, një fitore e NATO-s mund të merret si e mirëqenë në pothuajse çdo skenar.
Ky është mësimi i gabuar që nuk duhet marrë nga kjo luftë.
Veçoritë e situatës në të cilën ndodh një luftë përcaktojnë fuqishëm se si manifestohet fuqia ushtarake dhe nëse ajo mund të arrijë qëllimet politike. Një disfatë amerikane në Afganistan na jep shumë pak njohuri se si mund të zhvillohet një luftë me Kinën.
Një analogji e mirë për luftën aktuale mund të jetë performanca e dobët e papritur sovjetike në “luftën e dimrit” me Finlandën e viteve 1939-40. Lufta nxorri në pah dobësitë dhe problemet strukturore në Ushtrinë e Kuqe, por udhëheqja gjermane mund të ketë keqinterpretuar mësimet e atij konflikti në planifikimin e Operacionit Barbarossa, pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik në 1941.
Është e qartë se forcat e armatosura ruse nuk po vuajnë vetëm nga një plan i keq në Ukrainë.
Nga këndvështrimi i stërvitjes, udhëheqjes dhe disiplinës, ushtria e tyre ka mangësi serioze. Megjithatë, ka shumë për luftën që ne ende nuk i dimë, dhe interpretimet tona të hershme për të mund të jenë të gabuara.
Një analizë më e plotë do të nxjerrë në pah nëse performanca ruse do të ndryshonte në varësi të aksit të avancimit. Për shembull, forcat ruse në jug ndërhynë nga Krimea dhe arritën të merrnin në kontroll shumë territore. Për më tepër, ka shumë të dhëna që ne nuk dimë për mbështetjen që Amerika ka ofruar për Ukrainën, përtej armëve dhe se efekt kanë pasur ato, raporton abcnews.al.
Në fund të fundit, një vlerësim është mëse i nevojshëm, jo vetëm se ku ndodhen forcat e armatosura ruse por edhe se ku do të drejtohen ato. Një fushë tjetër ku Rusia ka shfaqur probleme, ishte paaftësia e saj për të rritur operacionet.
Atë që ushtria e saj mund të bënte në një shkallë më të vogël në 2014 dhe 2015, nuk mund ta përsëriste në të gjithë Ukrainën. Nga komunikimi tek logjistika, armët e kombinuara dhe më gjerë, forcave të armatosura të Rusisë u mungonte përvoja në operacione në shkallë të gjerë përpara pushtimit, dhe kjo u duk shumë qartë.
Por në të njejtën situatë do të ishte edhe NATO, po të mos ishte Amerika.
Nga ndërhyrja në Libi në 2011, deri te tërheqja nga Afganistani në 2021, nuk është e qartë se çfarë mund të bëjë NATO pa Shtetet e Bashkuara. Forcat e armatosura të Rusisë tani kanë përvojë për operacione të tjera, pasi kanë mësuar rrugën e vështirë nga gabimet e kushtueshme (siç bëri Ushtria Sovjetike para tyre).
Forcave të armatosura ruse do t’u duhen vite për të marrë veten nga këto gabime, por, në të njëjtën kohë, dështimi është shpesh një mësues më i mirë se suksesi.
Perëndimi shpërtheu nga zhgënjimi i vitit të kaluar për paaftësinë e shteteve europiane për të mbajtur në kontroll aeroportin e vetëm në Afganistan pa mbështetjen amerikane. Megjithatë, ky ndryshim në perceptimet nuk duhet t’i mashtrojë anëtarët e NATO-s, duke besuar se Rusia do të mposhtej lehtësisht, raporton abcnews.al.
Megjithëse fuqia ushtarake ruse u mbivlerësua, NATO duhet të vlerësojë me maturi se si qëndrojnë gjërat. Amerika do të vazhdojë të zhvendosë fokusin e saj në konkurrencën me Kinën, duke investuar në ekuilibrin ushtarak në Indo-Paqësor.
Zgjerimi i aleancës do të rrisë aftësinë ushtarake, por gjithashtu do të sjellë sfida të reja.
Një recesion ekonomik global dhe kostoja afatgjatë e rindërtimit të Ukrainës, mund të detyrojë vendet që të përdorin burimet shtesë për shpenzimet e mbrojtjes. Konflikti shërben si një kujtesë se lufta e qëndrueshme konvencionale varet nga disponueshmëria e fuqisë punëtore, materialeve, municioneve dhe kapaciteteve industriale të mbrojtjes për ta mbështetur atë.
NATO mund të bëjë akoma edhe më shumë për të përmirësuar kapacitetin në këto kategori. Nëse aleanca do të testohej në mënyrë të ngjashme, forcat e armatosura të NATO-s mund të zbulonin se edhe ato kanë shumë nga problemet që Rusia ka pasur në Ukrainë.
Duke marrë parasysh këtë gjë aleanca nuk duhet të mbajë një qëndrim shpërfillës ndaj Rusisë, ose të ndihet e vetëkënaqur. Pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, ushtria ruse do të rindërtohet herët a vonë.
Sanksionet do të ndikojnë në industrinë e mbrojtjes së Rusisë, por dobësimi i Rusisë si një fuqi ushtarake do të ishte një mësim i gabuar që nuk duhet ta marrim nga kjo luftë.
/abcnews.al