Zoran Zaev nuk është tipik ballkanas. Ose të paktën kështu duket sipas Mustafa Nanos. Tiparet e tij janë ndryshe nga karekteristikat e liderëve të ndryshëm të gadishullit të Ballkanit, të cilët kanë ecur me idenë se tërheqja është turp.
Mustafa Nano: “Në thelb, ai (Zoran Zaev) nuk ngjan me egërsirat e Ballkanit, nuk ngjan me ata që nuk dinë e nuk duan të tërhiqen. Me ata që vetëm pak duan për të marrë flakë. Apo më saktë pak duan që t’i venë flakën gjithë Ballkanit. Kjo ka qenë në 30 vitet e fundit karekteristika kryesore e liderëve politik të gadishullit më fatkeq të botës. Këta të fundit, liderët politikë kanë ecur me idenë që tërheqja është turp, sidomos tërheqja para një fqinji. Liderët ballkanik sa herë që duhet të forcojnë pozitat e tyre veshin kostumin e patriotit, dalin si mbrojtës të mëdhenj të interesit kombëtar dhe kjo është një kartë që ecën, funksionon dhe ngjit”.
Sipas moderatorit të “Provokacija”, Zaev ka lënë përshtypjen e një lideri tjetër që me shqiptarët ka kërkuar bashkëpunimin. Shembulli për këtë është Ligji i Gjuhëve. Me fqinjët grekë zgjodhi një marrëveshje pasi më parë marrëdhëniet ishin të ngrira ç’ka i la jashtë integrimit në NATO dhe BE.
Mustafa Nano: “Asnjë udhëheqës maqedonas nuk e çonte në mendje të tërhiqej përballë grekëve sepse kjo do të merrej për një akt dobësie dhe kjo dihet, në Ballkan i dobëti është i përbuzshëm, nuk ta fal njeri dobësinë. Më mirë me lebrozë sesa i dobët edhe pse dobësia mund të sjellë paqe, begati prapë se prapë atë nuk ta falin. Doni një provë për këtë? Provë është referendumi i të dielës në Maqedoni. Qytetarët maqedonas e bojkotuan këtë referendum me logjikën e të dobëtit, me logjikën e atij që iu dorëzua kërkesave të një fqinji bully”.
Referendumi do të quhej i vlefshëm vetëm nëse votonin mbi 50 për qind e popullsisë, kështu që ai dështoi sepse sipas Nanos, maqedonasit zgjodhën krenarinë në vend të urtësisë dhe paqes. Por në thelb, ata humbën sipas tij.
“Ata në thelb humbën, ata janë humbësit e mëdhenj në këtë histori. Dhe tok me ta humbi dhe Zoran Zaevi. Me shumë mundësi vendi do të hyjë në zgjedhje të parakohshme dhe është e sigurtë që këto zgjedhje do t’i fitojnë të tjerët dhe jo Zaevi. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe”.
Në Ballkan nuk ka ardhur akoma koha e njerëzve si Zoran Zaev, por është e atyre nacionalistë.
Mustafa Nano: “Jemi në Ballkan dhe në Ballkan nuk ka njerëz si Zoran Zaevi, nuk është koha e këtij të fundit. Është ende koha e fajkonjve nacionalistë. Ballkanasit, shqiptarë, serbë, maqedonas, grekë, malazezë a kush do qofshin jetojnë, kështu thuhet në Kanunin e Lekë Dukagjinit, për dy gisht nder në lule të ballit dhe prandaj preferojnë të jetojnë me nder në luftë sesa të çliruar në paqe”./abcnews.al