Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve SHBA-së Nancy Pelosi u ka bërë thirrje udhëheqësve globale të bojkotojnë Lojërat Olimpike, duke kritikuar Kinën për abuzimet e të drejtave të njeriut dhe duke thënë se udhëheqësit globalë që marrin pjesë do të humbasin autoritetin e tyre moral.
Pelosi, një Demokrate, tha në një seancë bipartizane të Kongresit se krerët e shteteve në të gjithë botën duhet të bojkotojnë Lojërat. Ajo është politikania e fundit amerikane që bën thirrje për bojkot, për shkak të trajtimit të myslimanëve ujgurë në Kinë.
Një panel i pavarur i Kombeve të Bashkuara tha në vitin 2018 se kishte siguruar raporte të besueshme se të paktën 1 milion ujgurë dhe myslimanë ndodheshin në kampe në rajonin Xinjiang të Kinës. Pekini i përshkruan ato si qendra të formimit profesional për të zhdukur ekstremizmin dhe i ka hedhur poshtë akuzat për abuzim dhe gjenocid, raporton abcnews.al
Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington, Liu Pengyu, tha se përpjekjet e SHBA për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës gjatë Lojërave Olimpike do të dështonin. Kërkesat nga e gjithë bota për bojkotim të Lojërave të Pekinit po rriten gjithnjë e më shumë. Deputetët britanikë u kanë kërkuar atletëve të bojkotojnë ngjarjen dhe grupet e të drejtave të njeriut gjithashtu kanë bërë thirrje për një bojkot.
Sarah Hirshland, shefja ekzekutive e Komitetit Olimpik të SHBA-së, tha në një deklaratë se komiteti ishte i shqetësuar për “shtypjen e popullatës ujgur”, por ndalimi i atletëve amerikanë për të marrë pjesë “sigurisht nuk është përgjigjja”./abcnews.al