Në studion e “ABC-së së Mëngjesit”, këngëtari Alis Kallaci vjen me emocionin e një momenti që i ka ndryshuar jetën: skena e Eurovision 2026. Më 16 maj, ai do të përfaqësojë me këngën “Nan”, një krijim që mban brenda rrënjë, dashuri dhe kujtesë.
“Po jetoj ëndrrën time”, shprehet ai, duke pranuar se ndonjëherë ende nuk e beson. Kënga do të këndohet në shqip, një zgjedhje e paplanifikuar, por që sipas tij ishte e vetmja mënyrë e drejtë për ta sjellë.
Kompozimi është i tij, ndërsa teksti i partneres, Desarës, e cila mbetet mbështetja më e madhe në rrugëtimin e tij. Në qendër të klipit qëndron figura e nënës, një simbol i fortë që e ka prekur që në kontaktin e parë me tekstin.
Rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Nga një djalë i tërhequr dhe i lidhur me instrumentet, në një artist që gjen veten në skenë. Vëllai i tij ka qenë shtylla kryesore, duke e afruar që herët me botën e muzikës dhe publikun.
Kthesa erdhi me “X Factor”, ku la gjithçka për të ndjekur ëndrrën dhe fitoi jo vetëm skenën, por edhe veten. Sot, për Alisin, suksesi nuk është vetëm një çmim, por një rrugëtim i mbushur me dashuri, familje dhe sakrificë. Dhe në fund, gjithçka kthehet te një fjalë e vetme: “Nan”./abcnews.al


