Naftëtaret i përgjigjen Ramës: Nga ty presim zgjidhje konkrete, jo postime në Twitter

schedule11:00 - 21 Tetor, 2020

schedule 11:00 - 21 Tetor, 2020

Naftëtarët e Ballshit kanë reaguar pasi kryeministri Rama u bëri thirrje për bisedime. Duke folur për mediat, naftëtarët janë shprehur se kryeministrin e presin në Ballsh, aty ku po qëndrojnë në grevë urie punonjëset e Uzinës.

Po ashtu, duke iu referuar postimit në Twitter të kreut të qeverisë, ata shprehen se nuk kanë bërë asnjë herë presion dhe as nuk kanë kërkuar asgjë që ai nuk mund ta zgjidhë.

“Ne nuk kemi bërë asnjë presion karshi qeverisë. Të presim këtu në shesh, në Ballsh. Nuk kemi kërkuar asnjë gjë që ai nuk mund ta zgjidhë. Ne kemi kërkuar një vendim gjyqi të formës së prere që na jep të drejtë për pagat tona. Takimi është këtu tek ato naftëtaret që janë në grevë urie. Nuk kemi pse bëjmë takime që nuk jemi pritur. Kemi shkuar në Tiranë dhe nuk kemi marrë përgjigje,” shprehet një prej tyre.

Ndërsa, një prej naftëtareve u shpreh për mikrofonin e Abc News se nga kryeministri presin zgjidhje konkrete dhe jo postime në Twitter.

“Ne duam zgjidhje konkrete nga kryeministri, jo të shkruajë në Twitter. Ai nëse do të negociojë me ne, ne negociojmë, por jo për pagat e prapambetura. Për punën. Pagat janë të panegociueshme, është një gjyq i fituar i paepelueshëm. Thjesht zbatim ligji kërkojmë. Kërkojmë punësim jo favorizim nga kryeministri.”

Kujtojmë se më herët, kryeministri në Twitter u bëri sërish thirrje naftëtareve që të ndërpresin grevën dhe të ulen të bisedojnë.

“Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume!Ne nuk kemi shkop magjik, po kemi gjithë vullnetin të lehtësojmë situatën. Me logjikë dhe solidaritet si një familje,” shkroi ai. s.b/abcnews.al/