Greva e urisë së naftëtarëve të Ballshit ka hyrë në ditën e katërt. Gjendja e tyre mëngjesin e sotëm nuk është aspak e mirë. Gazetarja e Abc News Valbona Davidhi thotë se naftëtarët kanë refuzuar ujin dhe ndihmën mjekësore. Ata kanë dhimbje koke, kollë, dhe dobësi trupore.
Përmes mikrofonit të Abc News, një prej naftëtarëve grevistë u shpreh se qeveria duhet të gjejë zgjidhje sa më shpejt.
“Jemi shumë keq, shumë të ngarkuar nga stresi, lodhja… duam zgjidhje sa më parë, qeveria të mos bëjë eksperiment me ne. I kërkojmë Kryeministrit Edi Rama të gjejë zgjidhjen sa më parë. Jeta jonë është këtu në Ballsh, uzina mban me bukë gjysmën e qytetit. Ajo nuk duhet lënë të falimentojë. Duam pagat e prapambetura. Ne nuk dalim nga këtu pa marrë zgjidhje të problemit nga qeveria”, u shpreh naftëtari i grevës së urisë.
Aktualisht në grevë janë 10 naftëtarë, ndërsa të tjerët i mbështesin me protesta jashtë uzinës. Kërkesa e tyre permanente prej tetorit 2019 e deri më tani është të marrin pagat e prapambetura dhe të garantohet vijëmisia e punës në uzinën e rafinerisë së naftës e cila është ndërprerë për shkak se mungon nafta bruto.
/abcnews.al
Lexo edhe: Rëndohet gjendja e grevistëve të Ballshit