Përballjet mes tyre kanë qenë të shumta, por kjo ndahet veç.
Anglia e Spanja janë kundërshtarë të vjetër në futboll, me 27 duele që nga viti i largët 1929, ndërsa akuzat dhe nervat më të skajshme shpërthyen pas çerekfinales së Kampionatit Evropian të 1996-ës.
Ishte edicioni kur turneu organizohej në Britaninë e Madhe, le ta themi qartë në Angli, dhe tifozët ishullorë këndonin “futbolli po kthehet në shtëpi”, gjithsesi, çerekfinalja ndaj spanjollëve ishte një betejë e humbur në fushën e lojës, edhe pse u fitua me penallti, pas 120 minutash me stres të jashtëzakonshëm.
“Furitë e Kuqe” nuk u kursyen me sulmet ndaj arbitrave për dy gola që ata i cilësuan të rregullt, dhe që duken të tillë në pamjet filmike me ngadalësim, kur i sheh edhe sot pas 28 viteve.
Autorë të dy rrjetave të anuluara që në pjesën e parë ishin Kiko dhe Julio Salinas. Ky i dyti nuk është se e kafshoi gjuhën.
“Nuk mund ta imagjinonim që do të ndodhte kështu, por nuk mund të fitosh kundër 100 000 tifozëve, 11 kundërshtarëve në fushë dhe 3 arbitrave. Ishte një vjedhje e madhe. Na vodhën ndeshjen, ndoshta gabuan, por ne na takon që të protestojmë apo jo?”,- u shpreh asokohe legjenda spanjolle.
Spanjollët pretenduan edhe për disa 11-metërsha në stadiumin “Wembley”, por gjyqtari francez Marc Batta nuk dëgjoi fare nga “ai vesh” dhe këto akuza u përsëriten sërish këtë të shtunë nga gazeta “Marca”, së cilës nuk i ka dalë ende inati.
Megjithatë, Nuk dihet nëse francezi i finales së kësaj të diele, Françoix Letexier, do të arbitrojë ndryshe nga Batta. /i.m /abcnews.al