Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipërisë i takonte që të ndihmonte Italinë lidhur me çështjen e emigrantëve, edhe për shkak të traditës së vendit tonë, mikpritjen.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, Rama u shpreh se shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut.
“Unë e kam përsëritur vazhdimisht që ky proces i përfshirjes së Shqipërisë në komunitetin e vendeve demokratike, i anëtarësimit të saj në NATO apo i anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, si dhe fakti që Shqipëria më në fund, pas qindra vjetësh, nën perandori dhe nën regjime të imponuara, ka zgjedhur të jetë pjesë e këtij komuniteti, dhe për këtë ka aleatë strategjik Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ka të gjitha të mirat, ka edhe pjesën që është sfiduese, pra raportet në këtë komunitet, nuk janë një menu që kur ti do të marrësh mbështetje, kur ti do të jesh i ndihmuar, kur ti do të kesh më shumë mundësi për të investuar në një rrugë të daljes përfundimtare nga tuneli i së shkuarës dhe të ngjitjes në majën ku shqiptarët aspirojnë, dhe nga ana tjetër, pasi këto i ke marrë të gjitha, kur vjen puna te sfidat, kur vjen puna tek edhe ato momente që nuk janë patjetër momente lumturie, po janë momente pagjumësie, të thuash jo.
Ne mund të thoshim jo, siç thanë të gjithë të tjerët, kur ata në Kabul u lanë në mëshirën e fatit, por duke qenë një vend që jemi në NATO, ama jemi të vetëdijshëm që nuk jemi një fuqi ushtarake që mund të kontribuojmë për të përcaktuar fatet e luftërave ku futet NATO, na takonte ne, edhe për traditën tonë, mos e harroni asnjëherë, jemi i vetmi vend në Europë, që kemi pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para Luftës së Parë Botërore, pikërisht sepse ne jemi lindur në një vend që në ADN-në e vet, e ka të shkruar që shtëpia e shqiptarit, është e Zotit dhe e mikut dhe kur dera troket, ti duhet ta hapësh dhe prandaj ne bëmë atë gjest, që nuk ishte një gjest i kalkuluar për ndonjë interes, as duke menduar se çfarë do fitojmë ne në pikëpamjen ekonomike, sepse praktikisht e thashë dhe më parë ne po paguajmë për qëndrimin e disa qindra afganëve në hotel këtu afër me shpenzimet tona dhe kam dëgjuar lloj-lloj gjërash që as nuk mund t’i imagjinoja, dhe kam lexuar lloj-lloj gjërash që as nuk mund t’i imagjinoja në mediat italiane se çfarë fshihet mbas kësaj marrëveshje, ndërkohë që ne nuk kemi kërkuar asnjë euro, sepse në momentin që do të kërkonim 1 euro, ne nuk do të ishim ne dhe Shqipëria nuk do të ishte ajo që është dhe që duhet të jetë, një mik dhe një aleat që është aty, pronto, në momentin kur një mik i madh dhe një aleat i madh si Italia thotë: A mund të na jepni një dorë?”, theksoi ai./abcnews.al