Nga Fieri ku mbylli fushatën elektorale kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, që pavarësisht bindjeve politike majtas apo djathtas, më 11 maj të votojnë për të ardhmen e tyre.
Kryesocialisti tha se Shqipërisë i ka humbur shumë here treni i historisë, që është integrimi në BE, por kësaj here nuk duhet që ta lëmë të ikë. Prandaj ai u beri thirrje qytetarëve që të votojnë forcën politike që u garanton të ardhmen.
“Të gjithë prindërit pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht simpative dhe inateve, nuk duhet të shikojnë majtas dhe djathtas para se të votojnë, por duhet të shikojnë poshtë, duhet të shikojnë fëmijët e tyre në sy. Duhet t’u thonë vetes së tyre se çfarë duhet të bëjnë ata për fëmijëri që nuk votojnë dot. Të mendojnë që ëndrra jonë të përputhet me dëshirën e atyre që kanë shprehur dëshirën.
Ky është treni i historisë që ka ndalur përpara nesh, Shqipëria e ka humbur jo një herë këtë tren, kësaj here nuk duhet ta humbasë. Shqipëria ka qenë buzë kapërcimit të madh dhe pastaj u kthye buzë greminës. Prandaj ne duhet t’u tregojmë atyre burrave të mëdhenj që vijnë në Tiranë, që ne duam të jemi në BE”, tha Rama.

