“Na hiqen si gjeneralë, do ketë gjoba të tmerrshme”, shpërthen Safet Gjici

schedule09:14 - 22 Shkurt, 2020

schedule 09:14 - 22 Shkurt, 2020

Humbja me Tiranën nuk është pritur mirë te Kukësi. Presidenti Safet Gjici, edhe pse në kampin verilindor e quajnë president nderi, kërcënon hapur lojtarët e tij.  “Kam dhënë urdhër të prerë që tri ndeshjet e radhës të fitojnë ose ndryshe të gjithë gjoba të tmerrshme do të kenë nga klubi”, janë fjalët e para të Gjicit, për “Panorama Sport”.

“Kanë dy ndeshje që i kanë humbur duke nënvlerësuar situatat që krijohen. Është e pafalshme, po shkatërrojnë investimin e klubit”, shton kreu i klubit verilindor, i cili më pas kapet edhe me mbrojtësin Olsi Teqja.

“Gjithashtu, lojtari Teqja (u ndëshkua me karton të kuq) ka gjobë. Tashmë dua 9 pikë në tri ndeshje, nuk ka rrugë tjetër. Nuk fal më asnjë dhe kurrë më aty. I kam duruar pa fund deri tani, është çmenduri që të humbësh pesë pikë në dy ndeshje që i kishin të fituara. Është e pafalshme të humbasësh 5 pikë në dy ndeshje. Të gjitha kushtet klubi ua ka plotësuar këtyre, korrekt me çdo gjë. Nuk i fal më, më kanë mërzitur jashtë mase”, vijon Gjici.

“Unë dua titullin dhe duke filluar 9 pikë në tri ndeshje rresht, kaq, përndryshe do ta shikojnë ata dhe stafi. S’merrem më fare me ta, më kanë mërzitur dhe më kanë lodhur shumë”, deklaron presidenti i Kukësit, që në fund edhe i thumbon lojtarët e tij me atë që thotë. “Hiqen si gjeneralë dhe kur dalin nga fusha, dalin si ushtarë të rraskapitur. Nuk i fal më, pikë”, përfundon Gjici. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!