Muzeu me piktura false, kryebashkiaku u kërkon falje vizitorëve

schedule08:19 - 1 Maj, 2018

schedule 08:19 - 1 Maj, 2018

Muzeu në jug të Francës zbulon se më shumë se gjysma e koleksionit të pikturave ishin imitime. Kryebashkiaku i qytetit u kërkon falje vizitorëve, ndërkohë që kanë nisur hetimet.

Të zbulosh se ke një vepër false është një tragjedi për çdo drejtor muzeu apo galerie. Por nëse kupton se më shumë se gjysma e koleksionit është false është diçka më shumë. Kjo i ka ndodhur një muzeu në Eln, në jug të Francës. Muzeu Teru zbuloi se 82 piktura të ekspozuara nuk janë të artistit Etien Teru, të cilit i dedikohet dhe muzeu. Kryebashkiaku i komunës e konsideroi lajmin si një tradegji dhe u kërkoi ndjesë të gjithë atyre që e kishin vizituar muzeun vitet e fundit.

Muzeu u lajmërua se kishte vepra false nga kritiku i artit, Erik Forkada, i cili vuri re si pikturat ishin imitime, kur vizitoi muzeun. Drejtuesit e strukturës i nënshtruan pikturat ndaj verifikimeve të duhura dhe zbuluan se më shumë se 80 prej tyre nuk janë të artistit Etien Teru. Pikturat përbëjnë më shumë se gjysmën e koleksionit të muzeut dhe nëse do të kishin qenë origjinale do të vlenin rreth 160 mijë euro.

Pas zbulimit, muzeu i inaguruar në 1994-n, u mbyll për një kohë të shkurtër dhe u hap sërish pa pikturat false. Ndërkohë kanë nisur denoncimet dhe hetimet për ata që kanë vlerësuar, pikturuar apo shitur ato vepra. Policia bëri të ditur se hetimet mund të zbulojnë imitime të tjera ndër veprat e piktorëve të asaj periudhe historike dhe në atë zonë të Francës.

Teru ka lindur në 1857-n në Eln dhe ndërroi jetë në vitin 1922. Ka qenë mik i piktorit Henri Matise dhe ka pikturuar vetëm peisazhe të zonës në jug të Francës, ku dhe ka kaluar jetën./abcnews.al