Mustafa: Qeveria të jetë e gatshme për rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë

schedule12:10 - 25 Gusht, 2020

schedule 12:10 - 25 Gusht, 2020

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar partnerët e koalicionit për ndryshime në qeveri nëse nuk respektohen rregullat e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Mustafa ka thënë se do të ketë ndryshime në çdo kohë për ata që ndjekin agjenda personale apo partiake, siç është shprehur ai. Ai ka theksuar se luftimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike dhe dialogu për njohje reciproke me Serbinë, kërkon respekt institucional ndaj qeverisë por edhe brenda qeverisë.

“LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.”

Mustafa deklaroi gjithashtu se proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë aktorëve politikë dhe se strategjia e dialogut me Serbinë duhet të formulohet nga kryeministri dhe kabineti i tij me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.

“Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tone, të mos marrë vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.”

Postimi i plotë:

Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.

Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.

Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.


Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithësesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin.


LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.


Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim. IM  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!