Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, këtë të mërkurë ka folur rreth koalicioneve të mundshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Mustafa, në konferencën për medie ku edhe u zyrtarizua kandidatura e Avdullah Hotit për kryeministër nga kjo parti në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ka bërë të ditur se partia e tij, është e hapur për çdo parti tjetër.
Mustafa në këtë konferencë, deklaroi se nuk do të bëjnë koalicion me askënd, por që siç theksoi ai, do të jenë të hapur për çdo parti që dëshiron t’i bashkohet listës së tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
“Procedurat tona parashohin që t’i drejtohemi këshillit të përgjithshëm të partisë dhe gjatë mbrëmjes do t’i drejtohem Këshillit edhe sa i përket kandidatit por edhe bashkëpunimit apo koalicioneve me partitë e tjera. Nuk do të futemi me asnjë subjekt politik, por ne jemi të hapur me të gjitha partitë të cilat dëshirojnë t’i bashkohen listës së LDK-së”, deklaroi Mustafa. /abcnews.al