Emiliano Musta ka folur hapur në lidhjen direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport. 28-vjeçari i Kukësit beson ende te titulli kampion, shpreson të transferohet jashtë, zbulon se ka shumë rroga pa marrë te Flamurtari dhe thekson paradoksin e shtetit shqiptar në lidhje me futbollin.
SITUATA – “Kam patur një thirrje nga klubi për të qenë në Tiranë, pasi ishin gjasat të fillonim stërvitjen. Ne jemi në ajër, nuk e dimë se çfarë do të bëjmë dhe kur mund të kthehemi në fushë”.
TITULLI – “9 pikë nuk janë pak, por futbollit nuk e dihet asnjëherë. Ne kemi për detyrë të besojmë deri në fund, kemi edhe ndeshje direkte me Tiranën. Ne do të besojmë deri në fund, duke parë që edhe ata kanë ndeshje të vështira në transfertë. Nuk mendoj se çështja e titullit është e mbyllur. Tirana është më e favorizuar, por me fitimin e Kupës dhe ndeshjet e Europës nuk mendoj se do të ishte një sezon i dështuar”.
PARADOKSI – “Kur shikon që janë hapur fasoneritë pse mos të lejohet stërvitja, duke parë që do të stërvitemi në fushë të madhe. Paradoks i qeverisë shqiptare, por këto i dinë organet kompentete. Pasioni i kalon këto frikëra dhe kur futesh në fushë nuk mendon për këtë gjëra”.
DËSHIRA – “Çdo lojtar dëshiron të luaj jashtë dhe unë gjithashtu pasi sezonet e fundit kam bërë paraqitje të mira. Dua të luaj diku ku është më mirë se Shqipëria, si në aspektin financiar dhe infrastrukturor”.
FLAMURTARI – “Te Flamurtari janë ende shumë rroga pa marrë, por tashmë kjo nuk është në dorën tone. Gjithçka është në dorën e Gjykatës”. /abcnews.al