Deputeti demokrat Myslim Murrizi ka akuzuar mazhorancën socialiste se po vazhdon të bëjë pazare me opozitën jashtë parlamentit për ta rindërtuar sistemin zgjedhor në avanzhin e tyre. Por, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se ndryshimet në reformën zgjedhore kërkojnë bashkëpunimin e të gjithë faktorëve të politikës.
“Edhe Taulantin edhe Ramën i shoh që thonë ia kemi shtrirë dorën këtyre që vijnë rrotull institucioneve një herë në muaj se kur do t’ia shijojnë erën nga brenda. A keni shtrirë dorë bashkëpunimi apo dorë mashtrimi se kurrë nuk keni bërë marrëveshje veç pazare në kurriz të qytetarëve shqiptarë. A keni shtrirë dorë apo traste, tendera, thes. Edhe falja e 61 bashkive në 31 Qershor nuk besoj se ishte ndonjë kaos politik i shqiptarëve që jetojnë këtu. Ishte pazar me trastë pas dore”, tha Murrizi.
“Zoti Murrizi ne ua kemi thënë me kolegët tuaj të partisë nga e cila vini kemi pasur veçse një çështje kusht për reformën zgjedhore. Votën e qytetarëve që jetojnë jashtë territorit. Nuk ka PS kushte për reformën zgjedhore. Padyshim historikisht teksa janë bërë reforma zgjedhore në këtë vend është punuar në mënyrë koherente me opozitën parlamentare, por edhe opozitën jo parlamentare. Sepse nëse i referoheni frymës së Kushtetutës por edhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë merren për bazë rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, PD, LSI janë parti që rezultojnë të jenë parti parlamentare. Për këtë arsye harroje se kam dashuri për Lulzim Bashën. Gjëja e fundit që mund të më akuzosh kjo është”, tha Balla./abcnews.al