Mungojnë vendparkimet në zonat historike të Lezhës, agjencitë turistike shmangin qytetin

schedule17:22 - 26 Qershor, 2022

schedule 17:22 - 26 Qershor, 2022

Nga Gjergj Figuri

Urat mbi lumin Drin të ndërtuara së fundi kishin për qëllim një kalim të lehtë dhe atraktiv drejt memorialit të Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti, por vendi ku mund të lihen mjetet e tyre është stacion për mjetet e transportit publik nga zonat rurale. Për këtë shumë agjenci turistike nuk e kanë përfshirë Lezhën si pikë qëndrimi.

Parkimi në shesh është një sfidë më vete. Siç shihet nga pamjet, drejtuesit e autobusëve kanë vështirësi si për parkim ashtu edhe për t’u kthyer.

Problemi pranohet edhe nga Bashkia e Lezhës.

“Ka problem me të gjithë hapësirat për parkim. Provizorisht kemi caktuar vetëm një pjesë në zonën e Sheshit, momentalisht është kthyer në një vendparkim për të gjithë qytetin e Lezhës për shkak të ndërhyrjeve në rindërtim. Pas dy tre muajve nuk do ta kemi më këtë problem sheshi do të lirohet dhe do të jetë vetëm për qytetarët dhe do të jetë për pjesën e vizitorëve,” thotë Ermal Pacaj, nënkryetari i Bashkisë Lezhë.

Por parkimi nuk është i vetmi problem në qytetin e Lezhës. Specialisti i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Shkodër, Dede Margjoni thotë se rruga që të çon drejt kalasë së Lezhës është e paaksesueshme.

“Rruga nuk plotëson parametrat e duhura, ka dy kthesa të forta që janë të vështira. Mungojnë edhe xhepat ku autobusët mund të ndërrohen me njëri-tjetrin.”

Nënkryetari i Bashkisë Ermal Pacaj tregon për ABC se do të ndërhyhet edhe për krijimin e lehtësive për ngjitjen e autobusëve në kala.

“Po shihet edhe mundësia për rrugën e Kalasë. Siç dihet atje ka disa probleme që nuk lejohet aksesi deri në vend i autobusëve.”

Specialistët e turizmit thonë se nëse infrastruktura do të përmirësohej numri i turistëve do të ishte më i lartë. /abcnews.al/