Mungesa e tualeteve publike, qytetarët: Të domosdoshme

schedule15:57 - 4 Prill, 2019

schedule 15:57 - 4 Prill, 2019

Këto janë disa nga tabelat më të çuditshme që vështirë ti shohësh në ndonjë kryeqytet tjetër. Por jo të gjithë e respektojnë.

Nuk është e pazakontë kjo pamje në Tiranë. Kjo është edhe arsyeja që Bashkia duket se ka shpikur sinjalistikë të re rrugore. Megjithatë as tabelat ndaluese, nuk i kanë larguar qytetarët nga ambientet poshtë urave apo rrëzë pemëve, për të kryer nevojat personale. Dhe kjo nuk është pamje e këndshme për kalimtarët.

“Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë, por nuk është e lehtë. Natyrshëm duhet të ketë tualete publike”, thonë qytetarët.

Ata që janë detyruar të ekspozojnë këto situata të pakëndshme, jashtë kamerës thonë se e bëjnë ngaqë nuk gjejnë tualete publike. Këtij shqetësimi i bashkohen edhe ata që tregohen më të rezervuar.

“Nuk e can kokën njeri për atë punë, duhet të kishte por s’ka”.

Qytetarët gjithashtu shprehen se shpeshherë janë të detyruar të ulen dhe të konsumojnë një kafe, që të shfrytëzojnë dhe përdorimin e tualetit.

Por kryeqyteti nuk është pa tualete publike. Thjesht mungojnë tabelat informuese. Për ata që nuk e dinë, këto tualet ndodhen në parkimin nëntokësor të sheshit Skënderbej.

Për Bashkinë e Tiranës është e patolerueshme që nevojat personale të kryehen në publik. Prandaj ajo prej vitit 2015, vendosi aplikimin e gjobave nga 1 mijë lekë të reja deri në publikimin e identetit të personave në rrjetet sociale. Duket se nuk është hera e parë që këto lloj ndëshkimesh ndodhin në Tiranë.

“Unë jam gjobitur nga polici në vitin 1960 sepse urinova pas asaj lulishtes”, thotë një qytetar.

Nëse në vitin 1960, ky ishte një rast i rrallë, 60 vjet më pas, kryeqyteti është mbushur me tabela të çuditshme dhe qytetarë që u ka dalë turpi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!