Mungesa e informacionit, edhe Infektivi me koordinatorë: Dy orare për familjarët e pacientëve

schedule15:52 - 16 Nëntor, 2020

schedule 15:52 - 16 Nëntor, 2020

Xhensila Kodra

Edhe këtë të hënë numri i familjarëve që presin në Spitalin Infektiv për të marrë informacion mbi shëndetin e të afërmve të tyre është i lartë.

Pas insistimit dhe dyndjes së tyre në rrethimin e Infektivit, duke kërkuar të dhëna se si paraqitet gjendja e familjarëve që po kurohen me Covid, drejtoria e këtij spitali ka vendosur që të paktën dy herë në ditë të nxjerrë nga një koordinator për t’i sqaruar ata.

Burime pranë stafit mjekësor thanë për ABC News se një prej koordinatorëve do të dalë gjatë orëve të paradites. Kjo për shkak edhe se një pjesë e familjarëve të pacientëve vijnë nga rrethet.

Ndërsa pasditja rreth orës 17.00 e në vijim, do të jetë kryesisht për familjarët që u sjellin pacientëve ushqim e veshmbathje. Jashtë goditës, numri i ambulancave që vijnë në infektiv gjatë paradites është shumë i ulët.

Ndërsa,një pjesë e pacientëve që negativizohen, largohen prej andej edhe me makinat personale. Edhe jashtë ambienteve të spitalit Covid 2, gjatë ditës shihen familjarë që me qese në duar u çojnë ushqim e sendet e nevojshme të afërmve që po trajtohen aty.

Por ndryshe paraqitet situata në pavionet e tjera në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Këtë të hënë u vu re një numër i shtuar autoambulancash dhe qytetarësh që janë paraqitur për të marrë ndihmën mjekësore për sëmundjet që ata janë të prekur. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!