“Mund të kenë dalë vetëm nga AKSHI,” Progni: Veç pagave, ka rrjedhje të tjera të dhënash

schedule20:26 - 22 Dhjetor, 2021

schedule 20:26 - 22 Dhjetor, 2021

Pagat, kartat e identiteti dhe të dhëna të tjera të mijëra qytetarëve janë bërë publike pasi një file në Exel nisi të qarkullojë ditën e sotme. Inxhinieri IT, Gent Progni, në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC u shpreh se sistemi i grumbullimit të të dhënave në Shqipëri është i centralizuar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Sipas tij, institucione të tjera sa ministria e Financave apo Drejtoria e Tatimeve kanë akses në këto të dhëna, por sipas të dhënës që kërkojnë në moment, jo të databazës në total.

“Centralizimi i sistemit nga AKSH është deri në nivelin e punësimit të IT, pra duhet ta certifikojnë ata. Serverat janë të centralizuar në AKSH.”

Rrjedhimisht, sipas Prognit, i vetmi institucion që mund t’i mbledhë dhe të eksportojë një sasi të tillë të dhënash është AKSHI.

“Është më shumë problem social, psikologjik sepse janë të dhëna sensitive pagat. Sektore të ndryshme kanë paga të ndryshme. Mund të sjellë problem mes konkurrencës dhe mes punonjësve.”

Po ashtu, inxhinieri IT tregon se në të dyja rastet: edhe nëse do të kishte “data breach” nga jashtë apo nëse dikush i brendshëm do të përpiqej të eksportonte një sasi të tillë informacioni, AKSHI do të njoftohej automatikisht.

“Pagat i ka vetëm Instituti i Kontributeve Shoqërore dhe Drejtoria e Tatimeve dhe të dy i kanë severat në AKSH. Nëse IT e një institucioni të tillë, gjeneron të dhëna të tilla, lajmërohet institucioni i AKSHIT. Asgjë nuk del pa e ditur AKSHI. Nëse do bëhej nga jashtë, AKSHI do të njoftonte që ka një data breach, dhe populli do të ishte në dijeni.”

Por nuk përfundon me kaq, përpos databazës së patronazhistëve dhe kësaj të publikuar së fundmi, Progni thotë se rrjedhja e të dhënave është më e madhe se kaq. Sipas tij kanë rrjedhur të dhëna për tapitë e shtëpive, certifikata të pronësisë, dëshmi penaliteti etj.

“Kryqëzimi i të dhënave që është bërë, është alokim që bëhet vetëm aty ku është sistemi qendror. Centralizimi i databazeve, të gjitha mblidhen në E-albania. Aksesimi është bërë në total i databazës, është çështje kohe apo interes momental i grupit që i ka për të vendosur kur publikohen. Dëmi është kolosal.”

Reagimet e bëra deri më tani, sipas tij, lënë për të dëshiruar. Por a mund të zbulohet se kush e ka bërë këtë eksportim të të dhënave? Inxhinieri IT thotë se sa më shumë kohë që kalon aq më e vështirë do të jetë që të gjendet autorët. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!